Presidenti, Ilir Meta priti sot në një takim Ambasadorin e ri të Italisë në Shqipëri, Fabrizio Bucci, me rastin e paraqitjes së Letrave Kredenciale.
Duke e uruar për përmbushjen me sukses të detyrës së tij në Tiranë, Presidenti Meta vlerësoi se Italia mbetet partner i pazëvendësueshëm strategjik, si dhe partner kryesor tregtar i Shqipërisë.
Presidenti Meta vlerësoi po ashtu mbështetjen e vazhdueshme që Italia i ka dhënë vendin tonë ndër vite në proceset e integrimit euro-atlantik dhe shprehu mirënjohje për ndihmën e menjëhershme të dhënë nga Italia në operacionet e kërkim shpëtimit pas tërmetit të 26 nëntorit.
Gjithashtu, Kreu i Shtetit u shpreh se mirëpret një prani më të madhe në sektorë strategjikë të investitorëve italianë në Shqipëri dhe inkurajoi që të rrisin bashkarisht përpjekjet për mbajtjen gjallë të gjuhës, kulturës e traditave të pasura shqiptare në vendin fqinj./Opinion.al