Presidenti Ilir Meta ka emëruar Gazmend Barbullushin në detyrën e ambasadorit të Shqipërisë në Spanjë. Ai njëkohësisht do të mbajë edhe postin e ambasadorit jorezident në Marok, në Mauritani dhe në Principatën e Andorrës. Në këtë mënyrë, kreu i shtetit ka pranuar propozimin e Gent Cakajt për Barbullushin.
“Z. Gazmend Barbullushi, emërohet në detyrën e ambasadorit të Jashtëzakonshëm dhe Fuqiplotë të Republikës së Shqipërisë në Mbretërinë e Spanjës, rezident, si dhe ambasador i Jashtëzakonshëm dhe Fuqiplotë i Republikës së Shqipërisë në Mbretërinë e Marokut, në Republikën Islamike të Mauritanisë si edhe në Principatën e Andorrës, jorezident”, thuhet në dekretin e firmosur nga Ilir Meta.
Deri më tani Gazmend Barbullushi ka mbajtur postin e Sekretarit të Përgjithshëm në Ministrinë për Evropën dhe Punët e Jashtme. Më parë ka drejtuar Drejtorinë e Çështjeve Konsullore dhe Diasporës si edhe ka qenë Ambasador në Hagë.
Ai ka përfunduar studimet në Fakultetin e Inxhinierisë në Universitetin e Tiranës, ka kryer studime pasuniversitare në Gjermani si edhe ka ndjekur kurse për diplomacinë po në Gjermani./Opinion.al