Aktualitet

Meta nuk dekreton ligjin “Për rininë”, tre pikat shqetësuese kryesore


               Publikuar në : 13:12 - 09/12/19 |
Al Do

Presidenti Meta ka kthyer për rishikim në Kuvend ligjin “Për rininë” pasi sipas tij ai bie në kundërshtim me parimet kushtetuese, aktet ndërkombëtare të ratifikuara nga Republika e Shqipërisë, si dhe fryma e këtij ligji nuk përputhet me interesat reale të rinjve shqiptarë dhe për rrjedhojë, ky ligj nuk është në harmoni me interesin publik e kombëtar.

Në arsyetimin e tij drejtuar Kuvendit, Presidenti rendit si pikë të parë shqetësuese pikën 2 dhe 3 të nenit 9 dhe pikën 2 të nenit 10.

Ligji parashikon në këto nene ngritjen e dy strukturave të reja Këshillit Kombëtar të Rinisë dhe Këshillit Vendor të Rinisë.

Pika 2 dhe 3 e nenit 9 parashikojnë që “Këshilli Kombëtar i Rinisë kryesohet nga ministri përgjegjës për rininë…Anëtarët e Këshillit Kombëtar të Rinisë emërohen me urdhër të ministrit përgjegjës për rininë. Kriteret dhe procedurat e zgjedhjes së anëtarëve, si dhe mënyra e organizimit dhe e funksionimit të Këshillit Kombëtar të Rinisë miratohen me vendim të Këshillit të Ministrave.”

Ndërsa pika 2 e nenit 10 parashikon që “Këshilli vendor i rinisë kryesohet nga kryetari i bashkisë…Anëtarët e këshillit vendor të rinisë emërohen me urdhër të kryetarit të bashkisë.”

Sipas Presidentit Meta “kjo mënyrë organizimi dhe përfaqësimi të vullnetit rinor, sipas dispozitave të mësipërme, duket se tenton vendosjen nën kontroll politik të gjithë organizimit dhe jetës rinore në vend, gjë e cila do të ishte rezultati më i rëndë i shkeljes të të drejtave dhe lirisë së shprehjes të pjesës më jetësore të shoqërisë dhe cenim të demokracisë në vendin tonë.”

Ky proces emërimi politik dhe ky nivel përfaqësimi që ngelet sërish në lirinë e veprimit të një funksionari politik vendos realisht nën kontroll dhe mbikëqyrje rininë shqiptare dhe krijon rrezikun që çdo përfaqësues me peshë dhe zë objektivisht opozitar me vullnetin politik që qeveris qoftë në nivel vendor apo vendor, të ngelet jashtë këtyre organizmave apo zëri i tij të mos merret parasysh.”, shkruan Presidenti Meta në argumentimin që shoqëron dekretin.

Më tej Meta shton se ky ligj nuk përmbush as dhe parashikimet e nenit 7 të Kartës Sociale Evropiane që garantojnë të drejtën e rinisë për mbrojtje.

Në asnjë paragraf të ligjit nuk thuhet se cilat do të jenë mekanizmat për të nxitur nismat që do të ndihmonin në nxitjen e vetëpunësimit, apo punësimit të të rinjve që vijnë nga shtresat e lëna mënjanë dhe ato në nevojë. Ky do ishte një rregullim thelbësor përmes ligjit që mund të përmirësonte në mënyrë graduale cilësinë e jetesës të të rinjve brenda vendit, si dhe rritjen e besimit të tyre se këtu në Shqipëri ata kanë një të ardhme për të ndërtuar të sigurt jetën e tyre. Jo vetëm kaq, por nisur nga situata e krijuar ku të rinjtë shqiptarë po ikin gjithmonë e më shumë me dëshirë për të ndërtuar jetën jashtë vendit, ky ligj duhet ndërkohë të ofronte mundësi reale dhe shpresë që të dekurajonte emigrimin e tyre jashtë vendit. Kjo gjë nuk garantohet me këtë ligj.”

Së treti Meta argumenton se problem në këtë ligj paraqet edhe pika “ç” e nenit 8 e cila përcakton si një ndër funksionet e institucionit përgjegjës për rininë “mbështet ngritjen e kapaciteteve të njësive dhe strukturave në nivel qendror dhe vendor”.

Kjo pikë paraqet paqartësi sipas Presidentit pasi nuk është e qartë se si një strukturë e varur nga Këshilli i Ministrave do të mbështetet për rritje kapacitetesh nga ministria përkatëse për rininë.

Pra, një strukturë varësie nuk mundet kurrsesi të ngarkohet me kompetenca që do të ushtrohen për të gjitha institucionet e pushtetit qendror, akoma më e paqartë bëhet situata kur këto kompetenca ushtrohen ndaj pushtetit qendror.

Vlerësohet se shtrati ligjor, me të cilin ministria përgjegjëse apo organet e tjera do të funksionojnë, është i paqartë; për pasojë, cenon sigurinë juridike të vetë ligjit objekt shqyrtimi dhe bën të krejtësisht të pasigurt realizimin e qëllimit për të cilin kjo normë e re ligjore po miratohet.”

Në fund të shkresës drejtuar Kuvendit, Presidenti i bën thirrje deputetëve të trajtojnë objektivisht problematikat e rinisë në shqiptare duke e vlerësuar atë si burimin më të rëndësishëm të Shqipërisë.

Të nderuar deputetë të Kuvendit të Shqipërisë,

Duke vlerësuar se burimi më i rëndësishëm i Shqipërisë janë të rinjtë dhe, bashkë me ta, e ardhmja e vendit, ligji nr. 75/2019 do të duhej të trajtonte objektivisht dhe realisht të gjitha shqetësimet e rinisë shqiptare, në përputhje me vlerat thelbësore të lirisë, shtetit ligjor, barazisë, pavarësisë, mirëqenies dhe sigurisë së të rinjve, duke i mbështetur ata me qëllim sigurimin e mundësisë për punësim të denjë, si dhe sigurimin e shërbimeve të tjera aq shumë jetike për ta.

Krijimi i një kuadri ligjor që respekton dhe mbron të drejtat e të rinjve, garanton parimin e barazisë dhe promovon raste dhe mundësi të barabarta të tyre; për rrjedhojë, është mjeti më efikas për krijimin e demokracisë së konsoliduar dhe shtetit ligjor.”. /Opinion.al

Pas