Pas refuzimit të Kreut të Shtetit, Ilir Meta, për të dekretuar Sandër Lleshin si ministrin e ri të Brendshëm, burime pranë maxhorancës bënë të ditur për “Panorama” se kryeministri Rama ka përgatitur një “plan B”.
Kryeministri nuk do të propozojë një kandidaturë të re, për të zëvendësuar Fatmir Xhafën, pas mosdekretimit të Lleshit si ministër. Por Rama pritet të emërojë si zëvendësministër të Brendshëm, Sandër Lleshin.
Sandër Lleshi do të ketë emërimin si zv.ministër i Punëve të Brendshme, por me atribute për të drejtuar këtë dikaster shumë të rëndësishëm.
Ky është precendet që Kryeministri Edi Rama e ka vënë në zbatim edhe më parë.
Rast konkret është Shërbimi Informativ Shtetëror, i cili drejtohet nga zv.drejtori i Përgjithshëm, Helidon Bendo.
Ky i fundit u propozua nga Edi Rama për të qenë drejtori i Përgjithshëm i SHISH, në vend të Visho Ajazi Likës, por Helidon Bendo sot e kësaj dite nuk ka marrë ende pëlqimin e Ilir Metës me dekret.
Si i tillë, Helidon Bendo drejton Shërbimin Informativ Shtetëror, por nga pozitat e zv.drejtorit të Përgjithshëm.