Në marsin e vitit 2011, shkrimtari Roberto Saviano, njohës i mirë i mafias italiane jepte një intervistë mbi tema delikate politike dhe sociale të Shqipërisë dhe Italisë.
I intervistuar nga gazetarja Rudina Xhunga, Saviano ndër të tjera preku temën e importit të mbeturinave, që qeveritë shqiptare e kanë tentuar me radhë, prej marrëveshjes Nano-Bechetti:
“Këshilla që do t’i jepja publikut shqiptar, është: Kujdes! Çdo minierë do t’ju
shndërrohet në një vendshkarkim mbeturinash, çdo fabrikë e braktisur do t’ju shndërrohet në një magazinë plehrash.
Italia po sheh (dhe jo vetëm Italia mafioze) në hapësirën shqiptare një biznes për mbeturinat.
Sa më shumë dëshirë ka për të bërë biznes nga ana e shqiptarëve, aq më i lartë është rreziku gjeografikk, biologjik, natyror për Shqipërinë.
Kështu që ky operacion, nëse nuk kontrollohet, pas pesë vjetësh ne do të takohemi përsëri dhe do të themi se si vallë periferitë e qyteteve shqiptare, fshatrat shqiptare janë plot me mbeturina toksike, mbeturina.
Por nëse nuk është i kontrolluar, rrezikon të bëhet një gropë që duhet mbushur me mbeturina legale.
Kështu që bëni kujdes me këtë që po ndodh!
Ky është hapi i parë për të bërë që të ndodhë në Shqipëri, jo thjesht ajo që po ndodh në Napoli, por për ta mbushur pjesën që nuk shihet, fshatrat, guroret, minierat e braktisura, për t’i mbushur të gjitha këto me plehra dhe për t’i sjellë fitime atij që ndërmjetëson në këto transporte”.