Prej 3 prillit, Jehona nuk mundet të hyjë në fushën e blertë së cilës i ka kushtuar shumë mund e përkushtim.
Këputja e ligamentit e ka lënë për disa kohë jashtë saj derisa të rikuperohet. Më i vështirë sesa dëmtimi, është gjendja e saj emocionale që ka pësuar një tronditje të fortë.
Por sot, në “Ka Një Mesazh Për Ty”, forca nuk vjen vetëm nga ata që e kanë ftuar, babai dhe shoqja e ngushtë.
Moderatori i programit “E Diela Shqiptare” në Tv Klan, Ardit Gjebrea shkon pranë saj për të ndarë një histori personale të patreguar më parë.
Njësoj si Jehona, Gjebrea rrëfen se ka pësuar një sfidë shëndetësore me këmbën. Fillimisht ecte me paterica dhe mendonte se nuk do të ecte dot. Pas operacionit, nisi trajtimi me fizioterapi por mbi të gjitha, rrugëtimi për t’i dhënë vetes kurajë e optimizëm se gjithçka do të kalonte.
”Do të të tregoj një histori shumë të shkurtër nga jeta ime. Papritmas një ditë fillova të kisha dhimbje në këmbë dhe nuk ecja dot dhe fillova të kisha vështirësi të cilat shtoheshin, shtoheshin, shtoheshin. Kjo është një histori që nuk e kam treguar asnjëherë. Mendoja që ishte nervi shiatik, por jo. Një moment më thonë të ka mbledhur kocka ujë dhe më pas, pasi bëra të gjitha analizat kisha probleme me kokën e femurit dhe ecja me paterica dhe me paterica futesha edhe në det që ishte një nga gjërat që akoma dhe sot e dua më shumë.
Në atë moment fillova fizioterapinë dhe isha shumë i dëshpëruar, por në një moment thashë “ej po Ardit ku je, prit se do ia dalësh”. Fillova, me gjithë dhimbjet që kisha, me gjithçka, luftova dhe 3 muaj shumë të forta fizioterapie pa u sforcuar, me shumë kujdes. Unë çdo mëngjes ngrihesha dhe thosha “Ardit, ti do ia dalësh, ti do ecësh prapë” dhe gjeta forcën te njerëzit që më rrethonin, te shqoëria, familja ishte aty çdo ditë që të më mbështeste, por unë gjeta forcën tek Arditi, atë forcë që ti duhet të gjesh te Jehona. Unë dua që përmes kësaj dore të të jap ty gjithë energjinë e mirë timen duke ta treguar këtë histori për të të thënë që zgjohu çdo mëngjes me gëzim, e lumtur dhe unë do ia dal sepse gjithçka është vetëm këtu”, tha Gjebrea.