Bota

Meloni konfirmon mbështetjen e saj për BE-në, NATO-n dhe Ukrainën



Bëhu pjesë e Grupit Zyrtar të Opinion.al
>> KËTU <<
               Publikuar në : 17:40 - 25/10/22 |
Opi Nion

Kryeministrja e Italisë, Giorgia Meloni ka konfirmuar mbështetjen e qeverisë së saj për Bashkimin Evropian, NATO-n dhe Ukrainën në fjalimin e saj të parë në parlament, një muaj pasi partia e saj e ekstremit të djathtë fitoi zgjedhjet.

45-vjeçarja, e cila u betua si liderja e parë grua e Italisë të shtunën, këtë të martë hodhi poshtë lidhjet e mundshme me të kaluarën fashiste të vendit të saj, duke thënë se ajo “kurrë nuk kishte ndjerë simpati ose afërsi me regjimet jodemokratike duke përfshirë edhe fashizmin”.

Mediat e huaja shkruajnë se, perspektiva e një qeverie euroskeptike, populiste që drejton ekonominë e tretë më të madhe të eurozonës ka ngjallur shqetësim tek aleatët e Italisë, veçanërisht në BE.

“Italia është plotësisht pjesë e Evropës dhe botës perëndimore,”  tha Meloni duke shtuar se “do të vazhdojë të jetë një partner i besueshëm i NATO-s në mbështetjen e Ukrainës”.

Qeveria e fundit nën udhëheqjen e Mario Draghi ka qenë një nga mbështetësit më të fortë të BE-së sa i përket vënies së sanksioneve ndaj Rusisë për luftën në Ukrainë.

Meloni e mbështeti atë politikë, pavarësisht se ishte në opozitë dhe pavarësisht varësisë së madhe të Italisë në atë kohë nga gazi rus.

Por një nga partnerët e saj të koalicionit, ish-kryeministri Silvio Berlusconi, u incizua javën e kaluar duke mbrojtur mikun e tij të vjetër, presidentin rus Vladimir Putin.

Ndër të tjera, Meloni u shpreh se nuk do t’i dorëzohej “shantazhit të Putinit për energjinë”.

Ashtu si pjesa më e madhe e Evropës, Italia po përballet me inflacionin dhe fatura të larta të energjisë, gjë që rrezikon ta shtyjë vendin në një recesion vitin e ardhshëm.

Meloni tha se do të forconte masat ekzistuese për të ndihmuar bizneset dhe familjet të përballen me rritjen e çmimeve./Opinion.al

Pas