Supersfida e pritshme për çerekfinalen e “Euro 2016”s mes Gjermanisë dhe Italisë mbetet takimi më i komentuar në shtypin e huaj, jo vetëm për fazën në të cilën është futur Europiani, por edhe për historikun e përballjeve të këtyre dy skuadrave.
Media gjermane “Sport Bild” është e sigurt se Italia është ndalesa e fundit, duke cituar shtatë arsye se përse “axurrët” do të dalin të humbur nga kjo sfidë. Mes këtyre argumenteve është precedenti i krijuar në Ligën e Kampionëve ku Bajerni i Mynihut eliminoi Juventusin në ndeshjen e kthimit.
Siguria që italianët kanë duke iu rikthyer traditës pritet të mos jetë në favorin e tyre për mediat gjermane. Ndër të tjera Bild përfshin rikthimin në formë të Boateng dhe përmend edhe elozhet që Bufon i ka bërë Nojerit, duke e cilësuar si më të fortin. Forma e treguar nga Gomez është një tjetër pikë e fortë e gjermanëve. Dhe për trajnerin Joakim Lëv, thuhet se këtë herë nuk do të gabojë.
Gjermanët theksojnë pushimin e shkurtër të Italisë pas eliminimit të Spanjës dhe faktin që Khedira njeh në perfeksion mekanizmat e mbrojtjes të treshes juventine. “Bild” e ilustron superioritetin e gjermanëve edhe me një intervistë të Mylerit: “Këtë herë qajnë italianët. Jam optimist”,ka thënë ai, ndërsa shton se “ndeshja do të jetë e fortë, por këtë herë do të kenë goditjen finale”. Gjermania dhe Italia do të përballen mes tyre në çerekfinalen e “Euro 2016” më 2 korrik në Francë.