Teksa opozita proteston përpara Kryeministrisë, “Associated Press” ka botuar një artikull ku thotë se opozita shqiptare ka organizuar një protestë kundër qeverisë, të cilën e akuzon për korrupsion dhe lidhje me krimin e organizuar.
“Mijëra mbështetës të Partisë Demokratike, parti e qendrës së djathtë dhe drejtuese e opozitës, kanë marshuar paraditen e së shtunës përpara zyrës së kryeministrit socialist Edi Rama, duke kërkuar dorëheqjen e tij”, shkruhet në artikullin, i cili është botuar edhe nga Washington Post.
Në artikull shkruhet gjithashtu se opozita refuzon dialogun, por kërkon patjetër largimin e Ramës dhe një qeveri tranzitore për të përgatitur zgjedhjet e parakohshme. Gjithashtu përmendet deklarata e Ambasadës së Shteteve të Bashkuara dhe delegacionit të Bashkimit Europian, të cilët kanë bërë thirrje për protestë paqësore dhe dialog mes palëve.
“Protestat e fundit kanë përfunduar me dhunë, ku policia ka hedhur gaz lotsjellës. Shqipëria shpreson të hapë negociatat në qershor për anëtarësimin në Bashkimin Europian”, përfundon artikulli./Opinion.al