Andrea Stefani
Që kur Edi Rama doli në krye të PS, nuk mund të pritej që Sali Berisha të mos ndërmerrte një kryqëzatë shpifjesh kundër tij. Eshtë në natyrën naziskine të Berishës që të sulmojë me të gjitha armët atë që e shikon si kundërshtarin më të rrezikshëm. Ai ka përvetsuar taktikën e Fyhrerit për të “…vjellë një rrjetë zjarri, gënjeshtrash dhe shpifjesh ndaj kujtdo kundërshtari që duket më i rrezikshëm derisa nervat e personave të rrënohen dhe që të fitojnë përsëri qetësi, sakrifikojnë personin që urrehet”.
Kanë pasur sukses kryqëzata të tilla kundër Fatos Nanos ndaj Saliu, ka shpresa se një gjë e tillë mund të përsëritet me Edi Ramën. Prandaj, ai vetë nga foltorja e Kuvendit (ku tolerohet me pash në shkelje të rregullores) nga facebook-u, nga mediat e vëna në shërbim të tij, vjell vrer kundër Ramës duke e paraqitur si Al Kapone, si kreun e mafies jo vetëm në Shqipëri por edhe në Ballkan!
Akuzat janë groteske, fare të pafaktuara, shkurt, janë po ato “fjalët e kazanit” që Saliu villte dikur kundër Fatos Nanos por që më pas, kur e pati grurë me Fatosin, tha se qenë “fjalë kazani”. Pra, nuk ka asgjë për t’u marrë serizosht në këto akuza të shpifësit më të madh në historinë e këtij vendi. Dhe duket se shumica e opinionit nuk i merr seriozisht. Zgjedhjet në Dibër ishin një provë për këtë.
E megjithatë, orteku i shpifjeve berishiste po ka edhe ndikimin e vet. Socialistët duhet të largojnë Edi Ramën – apelonte në një shkrim Mustafa Nano. Po përse duhet ta bëjnë një gjë të tillë socialistët? Sepse, vjen përgjigja, Rama është i korruptuar, se ka ngritur një qeverisje të korruptuar, se situata i ka dalë jashtë kotrollit, se qeveritarët kanë ca marrëdhënie të çuditshme me ca njerëz që i rrethojnë, por edhe me biznesmenë por, zakonisht edhe me njerëz që janë përfshirë në krimin, se situata qenka më dramatike se kurrë në Shqipëri. Ashtu?! – pyesim. Edhe më dramatike se viti “97, se shtatori ’98, se 21 janari 2011? Përveç kësaj, nuk gjej në akuzat e mësipërme asgjë më shumë se “fjalët e kazanit” të Saliut.
Nuk e di se ç’fakte posedon Mustafai për të gjitha këto që shkruan dhe akuzon, por nëse do akuzoja kryeministrin se është i korruptuar, do preferoja të kisha një fakt të vetëm të përfshirjes së tij drejtpërdrejtë në një korrupsion. Sepse, që në një qeverisje ka korrupsion kjo nuk mund të ekskuldohet për asnjë qeveri të botës dhe aq më pak, në një vend si Shqipëria ku drejtësia nuk ka nisur të bëjë ende punën e saj dhe prevalon pandëshkueshmëria. Por kjo, nuk na jep të drejtë të bëjmë lidhje të shkurtra duke akuzuar kryeministrin si të lidhur me korrupsionin. Nuk është një kryeministër, edhe pse ka rolin e tij edhe në këtë rrafsh, që e ndëshkon korrupsionin por një sistem institucionesh që nuk ekziston në Shqipëri. Dhe, deri më sot, unë nuk kam parë a dëgjuar, edhe nga kundërshtarët e tij më të egër, që të mund të ofrojnë një fakt korruptimi të Ramës. Vetëm fjalë, hamendësira, shpifje.
Nuk kam as më të voglin dyshim se të gjitha këto që shkruan Mustafa Nano i mendon si të tilla, pa asnjë motiv apo nxitje të pandershme. Pikërisht pse besoj në integritetin e tij, të stërprovuar kaq e kaq herë në gjithë këto vite, kërkoj të më jepen fakte që gjërat janë pikërisht ashtu. E dua Mustafain, por më shumë dua të vërtetën.
Ndërkaq, nuk mund të pajtohem kurrsesi me opsionin e zgjidhjes që Mustafai ofron: Berisha është një bandit delinkuent – shkruan ai, dhe në anën tjetër kemi Edi Ramën që ndoshta nuk është bandit delinkuent por është peng i banditëve delinkuentë. Prandaj, kokludon Mustafai, “…është më mirë të qeverisemi nga një bandit delinkuent, se të paktën e dimë se kush është, sesa një njeri që nuk e ka veten në dorë”.
Shkurt, Nano na propozon që të qeverisemi përsëri nga Berisha, nga banditi delinkuent, na propozon që të zgjedhim si shpëtim të keqen më të madhe! Dhe mos të gënjejë mendja njeri, sa kohë që Saliu është në SHQUP, gjithçka do të jetë nën hyqmin e tij, PD dhe çdo qeverisje e PD. Sepse ajo është një parti e ndërtuar mbi “Fyhrerprizip”. Mund ta maskojë lidershipin e Berishës me lloj-lloj lulkash, por ai do te mbetet deri në fund lidershipi i Saliut.
Të kërkosh sot largimin e Edi Ramës është të bësh punën e Saliut. Me vjen keq ta them por, në këtë rast, antiberishisti dhe antiautokrati i vendosur Mustafa Nano, ka hyrë në një sinkron thuajse të pandërgjegjshëm me Saliun. Po kërkon pikërisht atë që Saliu ka kaq vite që e lakmon. Sot më shumë se kurrë. Përse?
Ethja e tij lidhet me momentin politik. Tërbimi i Saliut nuk ka të bëjë me qeverisjen. Kundër saj unë kam dëgjuar nga goja e tij dhe e larove te tij vetëm shpifje. Nuk them se ndaj kësaj qeverisje nuk mund të formulohen kritika. Edhe për korrupsionin. Por duhen faktuar dhe jo të ecet me “fjalë kazani” se qenka më simpatike (populiste) për gazetarin të jesh në opozitë me qeverinë. Gazetaria duhet të jetë në radhë të parë në opozitë me gënjeshtrën. Edhe kur kjo e fundit është në opozitë. Dhe PD ka degraduar në një parti të gënjeshtrës. Ndaj t’i bësh opozitë një qeverie me gënjeshtra, siç është provuar se bën Berisha që fotot e kanabisit kolumbian i paraqet si foto të kanabisit shqiptar, është të tradhëtosh të vërtetën.
Ndërkaq, duhet kuptuar se tërbimi i vërtetë i Saliut ka të bëjë me reformën në drejtësi. Me avancimin e saj. Prandaj, flet për zgjedhje të parakohëshme deri edhe për revolucion “demokratik” që mund të shpërthejë në një moment të papritur. Eshtë vënë ethshëm në kërkim të një diçkaje të dhunshme, destabilizuese, të mjaftë që të ndërpresë procesin.
Jemi në një nga ato momente kur duke ndjerë rrezikun që i avitet, Berisha është i gatshëm të vërë në funksion një nga ato intrigat e tij që paraprin grushtin e shtetit të 14 shtatorit. Edhe atëherë ndjehej i kërcënuar nga fillimi i hetimit për krimet e vitit ’97. Prandaj do tentojë gjithçka. Sepse, ashtu si me të drejtë shkruan Nano, ai është një bandit delinkuent, madje edhe më shumë, që nuk ndalet para asgjëje për të ndalur reformën në drejtësi.
Dhe nuk ka mjet më të mirë për të bllokuar reformën në drejtësi se të ndërrosh qeverinë pra, edhe vullnetin politik për reformën duke sjellë në pushtet një force politike që është kundër reformës. Eshtë fakt, që ndërsa Berisha dhe PD kanë dalë hapur kundër reformës në drejtësi, Edi Rama ka qenë politikani që ka mbajtur qëndrimin, e njohur kjo edhe nga ndërkombëtarët, më të vendosur dhe të palëkundur për të çuar përpara reformën në drejtësi. Si ka mundur ta bëjë këtë gjë nëse do të ishte i kapur nga banditë delinkuentë? Për mua, tërbimi i të korruptuarit dhe kriminalizuarit Berisha ndaj Ramës, nuk është një provë për kriminalizinin apo korruptimin e Ramës. Një provë të vetme po të kishte Saliu kundër Ramës, do tundte dynjanë. Por nuk e ka. Prandaj vë në lëvizje shpifjen.
Kori i shtuar i zërave kundër Edi Ramës sot është, në shumicën e rasteve, i nxitur nga ajo botë që nuk do ardhjen e drejtësisë në Shqipëri. Të largosh sot Edi Ramën, përveç se bie ndesh edhe me bilancin e punëve dhe reformave shtetndërtuese, do të thotë t’i japësh një goditje vullnetit politik për reformën në drejtësi, që është shansi i fundit që Shqipëria të dalë nga këneta e korrupsionit dhe mafias ku e kanë zhytur prej 26 vitesh banditë delinkuentë të politikës. Do të thotë t’i bësh të keqen më të madhe Shqipërisë.
Nëse ka një dramë që përjeton sot Shqipëria është pikërisht fakti që ka akoma në krye të opozitës (largqoftë t’i ketë përsëri në pushtet!) politikanë si Berisha dhe Basha që edhe pse i kanë duart të zhyera me gjak, edhe pse janë deri në fyt të pasuruar me korrupsion, edhe pse e kanë përdhunuar lirinë dhe demokracinë duke e bërë të ngecë, çirren e ngjirren për “dekriminalizim”, për “liri e demokraci”. Ky është avantazhi i pandëshkueshmërisë që këta të pandëshkuar po e shfrytëzojnë në maksimum dhe prej të cilëve, vetëm reforma në drejtësi mund të na shpëtojë. /Dita
***
Deklarata e Mustafa Nanos që nxiti reagimin e Stefanit
23 shtator, interviste në Tema TV
Pyetje: Nuk ju kemi dëgjuar të thoni diçka në lidhje me ligjin që kaloi dje në Parlament.
Përgjigje: E vërteta është që janë bërë muaj të tërë që unë jam më pak aktiv se zakonisht, jam marrë me ca punë të tjera të mijat, me ca studime “akademike”, kam shkruar romanin që sapo e kam publikuar, kështu që kam pas një lloj angazhimi tjetër. Mirëpo tani do filloj të jem aktiv, dhe kjo nuk ka lidhje vetëm me momentin aktual. Është një përkim rastësor, është një përkim midis vendimit tim për të qenë më aktiv dhe situatës që është bërë shumë dramatike. Dhe kjo që ka ndodhur me ligjin që u miratua dje me 63 vota, kjo ilustron shumë mirë edhe situatën dramatike, por ilustron shumë mirë edhe llojin e klasës politike që ne kemi. Është një klasë politike mafioze. Ne zakonisht e themi termin “mafioz” në kuptimin metaforik, por unë këtu po e them, dhe do doja shumë që shikuesit ta mernin, në kuptimin literal, kemi një klasë politike m-a-f-i-o-z-e.
Unë kam menduar për shumë kohë që kryeministri Rama ka ndërtuar një qeverisje të korruptuar dhe me këtë si të thuash isha shumë i interesuar që shikuesit të mos e kuptonin që kryeministri Rama është i koruptuar, sepse me thënë të drejtën nuk e kisha menduar që ai është i koruptuar. Por unë jam përfundimisht i bindur që ne kemi për kryeministër një njeri që është i korruptuar, dhe kjo nuk ka lidhje vetëm me ligjin mbi importimin e mbetjeve, madje unë nuk kam ide fare mbi ligjin në planin teknik. Nuk e di nëse ky ligj është i mirë apo i keq, nëse është i dobishëm apo i dëmshëm. Unë shoh flip-flop-et e këtyre njerëzve, unë shoh që para tre vjetësh apo dhe më shumë Rama dhe të vetët u ngritën kundër të njëjtit ligj, ndërtuan një kauzë të tyre mbi kontestimin e ligjit të plehrave, folën me publikun, dhe sot tre vjet më pas, pa e çarë kokën fare, pa u skuqur e pa u zverdhur, thonë një gjë të kundërt. Unë them që këtu thellë-thellë ka motivime mafioze, sepse vetëm motivime të tilla mafioze mund t’i detyrojnë njerëzit të bëjnë figurën e palaços.
Pyetje: Çfarë mendimi keni për këtë mazhorancë së cilës edhe pak i ka mbetur nga mandati?
Përgjigje: Kjo është një mazhorancë që mua përfundimisht më ka zhgënjyer, është një mazhorancë që unë nuk e shoh veten të përfaqësuar. E vërteta është se ka kohë që nuk e shoh veten të përfaqësuar. Edhe kur e kam parë veten të përfaqësuar, e kam parë për një simetri të këqijash në situatën shqiptare. Kam zgjedhur më pak të keqen. Të mos harrojmë se në anën tjetër është një parti që është më e keqe sesa PS-ja. Mirëpo tani jam përfundimisht i zhgënjyer dhe është një marrëdhënie që nuk ngjitet më midis meje dhe këtyre, që unë u kam dhënë votën, në radhë të parë kryeministrit Rama. Rama ka më shumë se një vit që ka demonstruar se situata i ka dalë jashtë kontrrollit, ai nuk ka asgjë nën kontroll më. Vendi është nën kontrollin e një spontaneiteti të rrezikshëm, apo e ca marrëdhënieve të çuditshme që qeveritarët kanë me ca njerëz që i rrethojnë, por edhe me biznesmenë, por zakonisht edhe me njerëz që janë të përfshirë me krimin. Dhe situata tani për mua është më dramatike se kurrë në Shqipëri. Ne kemi dy opsione: ne kemi një njeri që komandon një parti siç është Partia Demokratike dhe ky njeri quhet Sali Berisha, i cili për mua është një bandit delinkuent. Dhe në anën tjetër kemi një tjetër që quhet Edi Rama i cili ndoshta nuk është bandit delinkuent, por është peng i banditëve delinkuentë, dhe pyetja ime është: Është më mirë që shqipëtarët të qeverisen nga një bandit delinkuent, apo nga një njeri që është peng i banditëve dhe i delinkuentëve. Dhe common sense-i më thotë në mënyrë paradoksale që është më mirë të qeverisemi nga një bandit delinkuent, se të paktën e dimë se kush është, sesa nga një njeri që nuk e ka veten nën dorë.
Pyetje: Ju jeni kritik edhe ndaj opozitës. Çfarë shihni si zgjidhje?
Përgjigje: Kjo është pyetja më e vështirë në këto rrethana. Në situata të tilla është e vështirë të japësh një recetë dhe të japësh një ofertë, një zgjidhje. Momentalisht për mua një lloj zgjidhjeje e kanë në dorë socialistët. Këta të fundit, nëse e kanë në dorë, duhet ta largojnë këtë kryeministër sepse, me çfarë unë shoh, ai nuk është më duke qeverisur. Qeverisja nuk është më në dorën e atij, të cilin shqiptarët e kanë zgjedhur për të qeverisur, qeverisja është në dorën e tjetër kujt, dhe socialistët po të jenë inteligjentë, po të jenë të mençur, duhet të bëjnë çmos që, me hir e me pahir, ta largojnë Edi Ramën nga drejtimi I qeverisë. Unë e di që është e zorshme t’ia arrijnë qëllimit, jam i sigurtë gjithashtu se Edi Rama, bashkë me Ilir Metën, do dalin fitues në zgjedhjet e ardhshme, sepse përballë kanë partinë e banditit delinkuent, por ky nuk ka për të qenë një lajm i mirë. Për askënd. Mirëpo fundi i atyre ka për të qenë i keq. Nuk është se i njoh vetes ndonjë damar të zhvilluar të profetik, nuk është se më ecin këto parashikime që bëj, por në këtë rast kam përshtypjen se Rama e Co. do përfundojnë shumë keq. Prandaj mendoj se është jo vetëm në interesin e socialistëve, por edhe të vetë Edi Ramës, të shqiptarëve po se po, që Edi Rama të bëhet mënjanë, t’u hape rrugën ca të tjerëve, që janë aty brënda Partisë Socialiste. Ai nuk ka se çfarë të na ofrojë më. Kjo do ishte një zgjidhje shumë e mirë për momentin.