Në një kohë kur mjetet rrugore, drejtuesit e tyre dhe përdoruesit e rrugës rriten, të dhënat e autoriteteve shqiptare, tregojnë se aksidentet dhe pasojat e shkaktuara janë në ulje.
Në një analizë të kryer nga Drejtoria e Transportit Rrugor, evidentohet se në gjashtë muajt e parë të vitit, ka patur 16 jetë të humbura më pak se vitin e shkuar, në të njëjtën periudhë, ose e thënë ndryshe 15% më pak viktima.
Pozitiv është dhe fakti se në rrugët e vendit janë regjistruar më pak ngjarje rrugore. Referuar të dhënave nga Janari në Qershor, janë shkaktuar 581 aksidente, 90 më pak se në 6-mujorin e vitit të shkuar. Në këto aksidente janë përfshirë 770 qytetarë, apo 105 më pak se në gjashtë muajt e vitit 2021.
Të dhënat e Drejtorisë së Transporteve shënjëstrojnë problematikën e trafikut në zonat urbane, ku kemi 55% të aksidenteve rrugore në Shqipëri, 15% më shumë se mesatarja e vendeve të BE-së. Ndërkohë aksidentet e tjera janë 31% në zonat rurale dhe pjesa tjetër në autostradë apo dhe rrugë lokale. 45% e qytetarëve të përfshirë në aksidente në zonat urbane janë këmbësorë./Klan News