Marseli ka ftuar bashkëshorten, Nikoletën në rubrikën “Ka një mesazh për ty” në “E diela shqiptare”, moderuar nga Ardit Gjebrea, për t’i kërkuar falje për çdo shqetësim që ka i sjellë, pasi e kanë detyruar atë të largohet nga shtëpia së bashku me fëmijët.
Marseli rrëfen se e ka njohur Nikoletën në shkollë, kur ajo ishte vetëm 17 vjeç dhe se e ka rrëmbyer sepse janë martuar pa miratimin e prindërve të tyre, pasi ai ishte pak “i lëvizur”. Ai shprehet se edhe pse kanë sjellë në jetë dy fëmijë, ka vazhduar të jetë problematik dhe se nuk ia ka shprehur dashurinë Nikoletës. Marseli thotë se për shkak të impulsivitetit që e karakterizon, bashkëshortja e tij është larguar dy herë nga shtëpia dhe premton se nëse ajo e fal ai do të bëjë gjithçka për ta bërë të lumtur. Nikoleta është larguar nga shtëpia prej 3 javësh dhe ka marrë fëmijët me vete, kjo gjë e mërzit shumë Marselin, i cili preket dhe thotë se e ka marrë shumë malli për ta.
Nikoleta pranon ftesën për të qenë pjesë e rubrikës “Ka një mesazh për ty” dhe vjen në studion e “E diela shqiptare”. E pyetur nga Arditi se kush mund të ketë një mesazh për të, ajo shprehet se vetëm ish-bashkëshorti mund të jetë, edhe pse ende nuk është ”ish”. Kur sheh Marselin në ekranin e murit ndarës, nënqesh dhe thotë se e dinte, por është shumë i dukshëm emocioni që ka edhe pse mundohet të mos e shprehë. Nikoleta rrëfen se Marseli e ka detyruar të largohet nga shtëpia sepse ka treguar mungesë respekti, dashurie dhe kujdesi, jo ndaj saj, por ndaj fëmijëve të saj.
Marseli – Sot të ftova në emision që para gjithë shqiptarëve të të kërkoj falje për të gjithë ato që të kam bërë dhe që ta dish që do të jesh gjithmonë në zemrën time! Nuk do të lëndoj më kurrë ta premtoj!
Nikoleta – Mbarove?
Marseli – Ta dish që të dua shumë!
Marseli rrëfen se gjatë periudhës që Nikoleta dhe fëmijët nuk kanë qenë, ai ka reflektuar shumë dhe ka kuptuar që para familjes nuk duhet të vendosë asgjë. Ai thotë se do t’ia tregojë Nikoletës ndryshimin e tij nëpërmjet veprave dhe se do të bëjë gjithçka që ajo të jetë e lumtur. Ndërsa Nikoleta thotë se ajo ka ikur shumë herë nga shtëpia dhe ai shkonte, qante dhe i thoshte po të njëjtat fjalë, por kur çdo gjë normalizohej ai i rikthehej avazit.
“Jam 22 vjeç, më ka marrë që 16 vjeç dhe nuk di të them një herë që kjo ditë është e bardhë dhe e mbaj mend nga kjo martesë, në daç për mua në daç për fëmijët e mi. Unë Marselit nuk i them as jo as po. Nuk i jap dot një shans, kam nevojë vetëm që ai të më tregojë, që andej nga është, që ka reflektuar dhe e do familjen ”
Nikoleta thotë se ajo nuk mund t’i japë një shans tjetër që më vonë të përfundojnë po prapë në të njëjtën situatë, ndaj ajo do të qëndrojë në Tiranë me fëmijët, ndërsa Marseli duhet të gjejë një punë, pra të qëndrojnë për pak kohë larg njëri-tjetrit për të kuptuar se si mund të funksionojë kjo familje. Ajo rrëfen se familja e saj nuk e ka mbështetur në vendimin e saj për t’u larguar nga shtëpia, ndaj është detyruar të shpërngulet së bashku me fëmijët në Tiranë dhe t’ia dalë mbanë e vetme.
Marseli premton se do të shpërngulet në Tiranë, do të gjejë një punë, do të marrë një shtëpi me qera dhe do të përmbushe çdo premtim që i ka bërë. Nikoleta refuzon t’i japë dorën Marselit, por me këmbënguljen e publikut dhe të Arditit ajo i jep dorën me kokën poshtë.
Shpresojmë që Marseli këtë herë t’i mbajë premtimet e tij dhe familja e tyre të ribashkohet dhe të jetojnë së bashku të lumtur./tvklan.al