Ish-kryeministri, Sali Berisha, në një bashkëbisedim me qytetarët në “Facebook”, riktheu edhe njëherë vëmendjen tek shtëpia e kryeministrit Edi Rama e ndërtuar në zonën e Surrelit.
Sipas Berishës, Rama ka shkelur ligjet dhe ka gënjyer teksa ka thënë se tokën e ka blerë shumë herë më lirë nga sa ajo kushton me të vërtetë.
Berisha thekson se Linda Rama ka deklaruar se shtëpia është ndërtuar me paratë e ‘Kurbanit’, ndërkohë që sipas ish-kryeministrit për ‘Kurbanin’ nuk ekzistojnë fatura tatimore.
“Nuk pranon të hetohet Edi Rama për sarajet e tij, të cilat janë ndërtuar në një tokë që ai pretendon se e ka blerë me 1.5 dollarë, në një kohë kur toka kushtonte minimumi 20 dollarë në atë zonë.
Por ky është vetëm një aspekt. Aspekti tjetër antiligjor i hapur është se ajo tokë nuk mund të blihej për qëllimet që e ka blerë Edi Rama. Pra, ka shkelur ligjet.
Edi Rama nuk mund të pranojë të hetohet për sarajet e tij, 57 metra të gjatë themelet, të cilat ai i ndërtoi kur kishte të deklaruar në ILDKP, gjithsej 3800 euro dhe 400 mijë lekë të reja.
Edi Rama nuk pranon të hetohet sepse nuk ekziston asnjë burim transparent me se u ndërtuan sarajet. E shoqja deklaroi se është ndërtuar me paratë e ‘Kurbanit’, ndërkohë që për ‘Kurbanin’ nuk ekzistonin fatura tatimore, fatura bankare, fatura ndërtimore”, tha Berisha.