Ndërhyrja në kohë e policisë së Tiranës ka parandaluar një krim në familje ditën e sotme.
Në fshatin Gurrë e Vogël, një 54-vjeçar me iniciale O.M, ishte me pistoletë në dorë të drejtuar nga gruaja dhe fëmijët në kohën kur policia ndërhyri dhe e neutralizoi.
“Ky shtetas, në mënyrë sistematike ushtronte dhunë fizike dhe psikologjike ndaj bashkëshortes së tij dhe 3 fëmijëve të tyre dhe në momentin e ndërhyrjes së Policisë, 54-vjeçari u kap me pistoletë në dorë, me fishek në fole gati për qitje duke kërcënuar bashkëshorten dhe tre fëmijët për t’i vrarë”, thuhet në njoftimin e policisë.
Nga kontrolli në banesë policia sekuestroi dy armë zjarri (pistoletë e pushkë), një sasi fishekësh luftarak për pistoletë dhe për pushkën, tre kallëp tritoli dhe një thikë.
Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, në ngarkim të shtetasit O. M., për veprat penale “Dhuna në familje”, “Armëmbajtja pa leje”, “Prodhimi, mbajtja, blerja apo shitja pa leje e armëve të ftohta”. /Opinion.al