Kryesore

Mbyllen votimet në Serbi, kush pritet të ulet në parlamentin e ri


Bëhu pjesë e Grupit Zyrtar të Opinion.al
>> KËTU <<
               Publikuar në : 21:47 - 21/06/20 |
Al Do

Serbia sot mbajti zgjedhjet e përgjithshme, për të cilat u votua edhe në mjediset e banuara me shumicë serbe në Kosovë.

Në Serbi, mbi 6,5 milionë banorë kishin të drejtë vote që të zgjedhin parlamentin e ri prej 250 deputetësh. Ata po ashtu votuan për përbërjen e re prej 120 anëtarësh të Kuvendit të krahinës autonome të Vojvodinës si dhe për udhëheqjen lokale.

Anketat kanë parashikuar një fitore të qartë për Partinë Konservatore Progresive Serbe (SNS) të udhëhequr nga Presidenti Aleksandar Vuçiç. Në orën 20.00 në Serbi sipas planit u mbyllën kutitë e votimit.

Pjesëmarrja në votim, në orën 5 të mbrëmjes, me tre orë të mbetura në votim ishte 37 përqind, 6.5 pikë më pak nga viti 2016. Pastaj shifra përfundimtare arriti në 56 përqind.

Disa parti opozitare i bojkotuan zgjedhjet. Ato e akuzojnë Vuçiçin për një stil qeverisës gjithnjë e më autokratik dhe për kufizime në lirinë e zgjedhjes. Vetë presidenti nuk kandidoi për parlamentin, por ai e mbizotëroi fushatën e partisë së tij. “Aleksandar Vçiç – për fëmijët tanë”, shkruhej në posterët e zgjedhjeve.

Sondazhet paraprake kanë parashikuar për SNS-në e Vuçiçit, i cili qeveris që nga viti 2012, më shumë se 50 përqind të votave. Popullariteti i partisë në pushtet kohët e fundit ishte rritur ndjeshëm për shkak të nivelit të lartë të miratimit publik për masat e pandemisë.

Në tri komunat jugore të Serbisë, në Preshevë, Medvegjë dhe Bujanoc, për herë të parë, pesë partitë shqiptare garuan në një listë të përbashkët.

Sipas sondazheve të fundit, një betejë shumë më e madhe do të zhvillohet për futjen në Kuvend të partive të tjera. E sigurt është Partia Socialiste e Serbisë (SPS), e ministrit të Jashtëm Ivica Daçiç, e cila mund të shënojë rezultat dyshifror. Partia e Vuçiçit dhe Daçiçit janë aktualisht në koalicionin qeverisës.

Ndërsa nga radhët e opozitës së deritanishme shumë parti do të kenë problem ta kalojnë kufirin prej 3%, sa nevojitet për t’u futur në parlament. Në sondazhe thuhet se këtë prag mund të kalojnë Lidhja Patriotike Serbe (SPAS), e ish-sportistit Aleksandar Shapiç për volejbollin në ujë, si dhe Lëvizja Libera e Qyetarëve të Lirë (PSG), të cilën e drejton aktori Sergej Trifunoviç.

Në zgjedhje kandiduan 21 lista të ndryshme. Ndër ato që eventualisht mund të futen në parlament janë edhe radikalët e të denuarit për krime lufte në Tribunalin e Hagës, Vojisllav Sheshel si dhe partitë e minoriteteve hungareze dhe shqiptare.

Megjithatë këto zgjedhje janë bojkotuar nga partitë opozitare të cilat tronditën themelet e pushtetit të Vuçiçit në 2018. Aleanca për Serbinë – një kolacion partishë opozitare – njoftoi se do të bojkotojë këto zgjedhje pasi nuk janë përmbushur kushtet për një proces të rregullt dhe të lirë zgjedhor.

Pas zgjedhjeve parlamentare të vitit 2016, OSBE kritikoi mbulimin e pabalancuar të mediave gjatë fushatës zgjedhore, përdorimin e burimeve publike për të mbështetur Vuçiçin dhe raportoi për presion ndaj punonjësve të administratës për të mbështetur Vuçiç.

Në maj të vitit 2019, Komisioni Evropian në Raportin e Serbisë kritikoi kushtet e zgjedhjeve dhe shprehu një shqetësim serioz për lirinë e shtypit. Ata gjithashtu deklaruan se kishte një ndikim negativ në punën e institucioneve demokratike, në veçanti të Asamblesë Kombëtare, dhe kishte një nevojë urgjente për të krijuar hapësirë për një debat të mirëfilltë ndër-partiak dhe kushte për pjesëmarrje kuptimplote nga opozita në parlament. Zgjedhjet në Serbi duhet të mbaheshin më 26 prill, por u shtynë për shkak të pandemisë së koronavirusit. /Opinion.al

Pas