Elvis Presli, këngëtari legjendar dhe ylli i kinematografisë amerikane, i cili u bë i njohur si mbret i rock & roll, vdiq nga një atak kardiak 41 vjet më parë. Vdekja e tij më 16 gusht 1977, tronditi industrinë e muzikës, dhe pikëlloi miliona fansa të tij në mbarë botën.
Në ditët pas varrimit të tij, u rritën spekulimet në mesin e një grupi të vogël skeptikësh, se Elvis në fakt nuk kishte vdekur. Përkundër deklaratave të qarta të mjekëve, se superstari 42-vjeçar kishte vdekur, skeptikët ishin të bindur se Elvis e kishte falsifikuar vdekjen e tij për t’u fshehur.
Gjatë katër dekadave të fundit, fansat në të gjithë Amerikën e Veriut, kanë këmbëngulur se e kanë parë Preslin në vende dhe kohë të ndryshme. Në vitin 1989, fansat më të thekur të entuziastë të Elvisit, krijuan madje “Shoqatën e Vëzhgimit të Elvisit”, për të monitoruar këto pretendime.
Disa njerëz madje pretenduan se ai u shfaq në sfond në filmin e famshëm të vitit 1990, “Home Alone” (I vetëm në shtëpi). Presli nuk është figura e parë e famshme që kultura jonë populiste e nostalgjisë, ka qenë e paaftë të pranojë vdekjen e tij.
Teoritë e konspiracionit, janë shtuar pas vdekjeve të tjera të personazheve të profilit të lartë, nga vdekja e yllit të Hollivudit Xhejms Din në një aksident automobilistik në vitin 1955, deri tek vdekja e Majkëll Xhekson më 2009-ën, teksa fansat këmbëngulin se idhujt e tyre të famshëm duhet të jenë ende të gjallë.