Inspektorati i Mbrojtjes së Territorit në Tiranë ka bërë një pasqyrë të punës së kryer për çlirimin e hapësirave publike të zaptuara, duke arritur të lirojë 53 031 m² vetëm në kryeqytet.
Gjatë këtij procesi janë kryer 1 408 çmontime, prej të cilave 1 167 kanë qenë vullnetare nga bizneset dhe 241 bazuar në vendime zyrtare.
Kryeministri Edi Rama është shprehur se ky nuk është thjesht një aksion, por faza e parë e një transformimi më të gjerë, duke njoftuar gjithashtu se po hartohet Rregullorja Kombëtare që do të përcaktojë me ligj hapësirat që mund të shfrytëzojnë bizneset.
Lirimi i hapësirave publike ka filluar në korrik dhe do të vazhdojë në të gjithë vendin, me synim përmirësimin e cilësisë së jetës në komunitet dhe funksionalitetin e bizneseve sipas standardeve kombëtare.