Prej dy ditësh maturantët kanë në dorë programet orientuese, mbi lëndët që duhet të zgjedhin për të zënë një vend në universitet, me formulat që këta të fundit kanë përcaktuar për pranimet e reja. Pikërisht këtu qëndron edhe “thembra e Akilit” për maturantët. Nisur nga përvoja e viteve të kaluara, ekspertët e Ministrisë së Arsimit apelojnë maturantët që nga moria e lëndëve me zgjedhje të caktojnë ato ku ata ndihen më të sigurt, e jo të tjera që kanë koeficient më të lartë, por më të vështira për t’i çuar ata drejt fakultetit të dëshiruar.
Sipas udhëzimit për Maturën Shtetërore 2016, matura e këtij viti do të jetë “dalëse”, jo kusht për t’u futur në universitet. Por, vetë universiteti, kush më shumë e kush më pak, i kanë dhënë rëndësi në formulën e pranimeve që kanë përcaktuar. Edhe këtë vit janë parashikuar të jenë tri provime me detyrim dhe dy me zgjedhje, me kushtin që shuma e krediteve të tyre të mos jetë më pak se tetë. /Panorama