Gjashtë persona janë arrestuar nga policia për veprat penale “Mashtrimi kompjuterik”dhe “Falsifikimi kompjuterik”.
Pas kryerjes së hetimeve, Njësia për Hetimin e Krimeve Kibernetike, në bashkëpunim me Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Pogradec dhe Komisariatin e Policisë Pogradec, ka ekzekutuar urdhrat e ndalimit ndaj shtetasve:
Klajdi Likaj, Dionis Daka, Genci Roko, Elis Molla, Kledi Hamati, Leonard Kalaja, dhe në kërkim Klinti Cani.
Këta shtetas në bashkëpunim me njëri-tjetrin, kanë kryer veprime me qëllim ngritjen e një skeme të mashtrimit kompjuterik për përfitimin e shumave të ndryshme monetare nga të gjithë shtetasit shqiptarë ose jo, të cilët kanë qenë të interesuar për të ndihmuar të mitur me probleme shëndetësore.
Për këtë arsye, këta persona vendosnin në dispozicion të shtetasve të interesuar, llogari bankare apo të dhëna shtetasish të cilët do të ishin përfitues të donacioneve, duke i tërhequr ato në institucione të ndryshme financiare.
Tërheqja e shumave të parave bëhej nëpërmjet profileve të rrjeteve sociale me të dhëna të rreme, me qëllim që të mos gjendeshin në rast se organet ligjzbatuese do të viheshin në dijeni të këtij aktiviteti kriminal.
Këta shtetas, për një periudhë rreth 6-mujore, kanë arritur të marrin qindra transaksione financiare nga shtetas shqiptarë ose jo, të cilët janë me banim në territorin e Shqipërisë, por dhe jashtë saj.
Policia bën me dije se në cilësinë e provës materiale u sekuestruan aparate celular, dokumente tërheqjesh monetare, një sasi lënde narkotike e dyshuar si kokainë./Opinion.al