Ministrja e Drejtësisë, Etilda Gjonaj ka zhvilluar një takim këtë të enjte me drejtuesit e burgjeve.
Gjatë këtij takimi Gjonaj ka njoftuar se më 14 qershor do të lirohen masat e vendosura për shkak të pandemisë për të burgosurit në vendin tonë. Nga kjo datë do të rinisin takimet me familjarët, aktivitetet dhe dhënia e lejeve të veçanta.
Të burgosurve do t’iu lejohet vetëm një takim në muaj ndërkohë që familjarët do duhet të jenë të vaksinuar, të kenë një test negative për COVID ose një vërtetim që e kanë kaluar virusin më herët.
Sakaq, për të dënuarit e mitur, do të lejohen deri në katër takime në muaj, me po të njëjtat kushte sigurie.
“Një takim në muaj duke respektuar distancën e sigurisë ku familjari paraqet dokumentin që është vaksinuar, testin negative ose vërtetimin e ka kaluar. Për të miturit do të lejohen 4 takime në muaj me të njëjtat kushte. Do të rifillojmë dhëniet e lejeve të veçanta në zbatim të rregullores së miratuar së fundmi për dhënien e lejeve shpërblyese. Do të jetë vetëm për raste mortore sipas parashikimeve ligjore. Për rifillimin e aktiviteteve do kryhen duke respektuar masat anti-COVID”, deklaroi ministrja.
Gjonaj u shpreh se deri më tani në burgje janë vaksinuar 2761 persona. “2761 të vaksinuar në burgje deri më tani. 18 muaj pas vendimit të Komitetit të Ekspertëve grupi teknik në Ministrinë e Drejtësisë kanë vlerësuar situatën në të cilën ndodhemi dhe kanë propozuar lehtësimin e disa masave kufizuese.
Këto masa kufizuese kanë qenë gjatë periudhës edhe të fushatës zgjedhore për të mos I lënë asnjë mundësi të burgosurve të takohen me familjarët. Për sa i përket lehtësimit të masave kufizuese për një periudhë të përkohshme është kryer edhe vlerësimi i Avokatit të Popullit edhe është referuar edhe në eksperiencën e disa vendeve të tjera”, u shpreh ministrja./Opinion.al