Presidenti amerikan Donald Trump reagoi përmes një postimi në Truth Socia për masakrën e ndodhur të dielën në mëngjes në kishën e Jezus Krishtit në qytezën Grand Blanc të Michigan.
Kreu i Shtëpisë së Bardhë e cilësoi sulmin me armë ndaj besimtarëve gjatë meshës, që la një viktimë dhe 9 të plagosur si sulmin e radhës ndaj të krishterëve në Amerikë, duke dënuar “epideminë e dhunës” që po përhapet në vend.
“Jam informuar për të shtënat e tmerrshme që ndodhën në Kishën e Jezus Krishtit në Grand Blanc, Michigan. FBI ishte menjëherë në vendin e ngjarjes dhe do të udhëheqë hetimin federal, duke ofruar mbështetje të plotë për autoritetet shtetërore dhe lokale”, shkroi Trump.
“I dyshuari është i vdekur, por ka ende shumë për të mësuar. Ky duket se është një tjetër sulm i qëllimshëm ndaj të krishterëve në SHBA. Administrata Trump do ta mbajë publikun të informuar, si gjithmonë. Në ndërkohë, lutuni për viktimat dhe familjet e tyre. Kjo epidemi e dhunës në vendin tonë duhet të përfundojë, menjëherë!”, nënvizoi Trump.
Edhe Guvernatorja e Michiganit, Gretchen Whitmer reagoi duke dënuar këtë akt të tmerrshëm përmes një postimi në platformën ‘X’. “Zemra ime është e thyer për komunitetin e Grand Blanc. Dhuna kudo, veçanërisht në një vend adhurimi, është e papranueshme. Jam mirënjohëse për shërbimet e emergjencës që ndërhynë shpejt. Ne do të vazhdojmë të monitorojmë këtë situatë dhe do të qëndrojmë pranë Kishës së Jezus Krishtit në Grand Blanc”,shkroi Whitmer.