Ky 15 janar shënon 22 vite nga masakra e Raçakut, një nga ngjarjet më të rënda në historinë e luftës së Kosovës. Ka qenë e shtuna e vitit 1999, dita kur në Raçak u vranë nga forcat policore dhe ushtarake serbe 45 shqiptarë të paarmatosur.
Më poshtë ju sjellim një pjesë nga libri “Hashim Thaçi dhe lufta e Kosovës”, nga Baton Haxhiu dhe Blendi Fevziu. Bazuar në fakte dhe dëshmi, në faqet e këtij libri, kjo ngjarje cilësohet si ajo që solli kthesë në diplomacinë ndërkombëtare dhe ndërroi rrënjësisht politikën ndaj Milosheviçit dhe Kosovës.
Nga Raçaku tek Rambujeja
Madalen Ollbrajt u zgjua pak më vonë se ditët e tjera, atë të shtunë të 16 janarit 1999. Mbledhja e një nate më parë për Kosovën zgjati më shumë sesa duhej dhe ajo ishte me pak orë gjumë. Ende nuk kishte aguar dhe pa lëvizur nga shtrati ndezi radion të dëgjonte lajmet. Ajo që mësoi ishte shokuese:
“E shtrirë në shtrat në gjysmëerrësirën e dimrit, dëgjova folësin që po kumtonte për një masakër që kishte ndodhur pesë mijë milje larg. Hollësitë nuk vonuan të mbërrinin. “Aty ka shumë trupa të pajetë, – u deklaronte ambasadori Ualker gazetarëve, – njerëz që janë qëlluar në mënyra të ndryshme, por shumica e tyre janë vrarë nga fare afër.”
Ollbajt ngriu. Kosova kishte shpërthyer më herët sesa e prisnin dhe mbledhja e një dite më parë, tashmë vlente vetëm për dokumentacion. Strategjia 13 faqëshe kishte rënë. Ajo që kishte ndodhur ishte e tmerrshme dhe do të rrëmbente shumë shpejt kryelajmin e mediave botërore.
Natën midis 14 dhe 15 janarit, një njësi speciale policore serbe e drejtuar nga major Goran Radosavjeviç, komandanti i tyre, doli nga një kazermë në periferi të Prishtinës. Siç ka dëshmuar ky vetë, në një intervistë për BBC-në në vitin 2001:
“Morëm njoftimin që një familje kishte vrarë 3 policë në Raçak. U nisëm në 2 të natës t’i ndëshkonim. Ishte shumë ftohtë dhe errësirë. Kishim siklet nga qentë, por nga i ftohti edhe ata ishin brenda. Ecnim nëpër drurë në këmbë. Kishte shumë dëborë, por arritëm.”
Pak orë më pas, duke gdhirë data 15 janar 1999, në fshatin e Raçakut, një lokalitet që fare pak njerëz e dinin se ku binte në Kosovë, u gjetën trupat e pajetë të dyzetepesë shqiptarëve. Ndër ta edhe një grua. Njërit prej trupave i ishte prerë koka. Ata qenë hedhur buzë një grope që njihej me emrin “Gropa e bebushit”. Ishin thuajse gjithë meshkujt që kishin ngelur në fshat. Gratë dhe fëmijet kishin dalë t’i kërkonin, pa e ditur, se asnjë prej tyre nuk jetonte më. Sipas shtypit, dy të mbijetuar, Ramë Nesret Shabani dhe Sadie Ramadani, e kujtojnë kështu atë ditë:
“Rreth orës 8:30, jemi tubuar në bodrum të shtëpisë së Sadik Osmanit, për t´u mbrojtur nga granatimet. Aty kanë qenë rreth 30 gra me fëmijë, disa burra dhe disa djemë të rinj. Ndërsa burrat e tjerë, rreth 30 veta, kanë qenë të vendosur në ahurin e lopëve të Sadik Osmanit. Fillimisht policia serbe i ka nxjerrë jashtë nga ahuri burrat dhe mandej ka ardhur një polic i maskuar dhe ka hapur derën e bodrumit, ka këqyrur brenda dhe ka dalë jashtë. Ndërkohë, ka ardhur komandanti i policisë së Shtimjes dhe e ka pyetur policin e maskuar:“Çka ka këtu brenda?“.Polici i përgjigjet:“Gra dhe fëmijë“. Komandanti ia kthen: “Pse po gënjen? Këtu paska edhe burra“. Na kanë nxjerrë në oborr dhe na i kanë marrë letërnjoftimet…, ndërsa gratë dhe fëmijtë i kanë mbyllur me dry (çelës) në bodrum.”
Burrat dhe djemtë i rrahën gjatë, dhe më pas i dërguan jashtë fshatit, ku i vranë pa asnjë paralajmërim. Vetëm 2 vetë arritën të iknin në mes të kasaphanës. Gazetarët mbërritën të parët, por menjëherë pas tyre, mbërriti vetë Uilliam Uolker, kreu i Misionit Vëzhgues të OSBE – së. Siç shprehet Ollbrajt në kujtimet e saj:
“Ai kishte parë trupat me sytë e tij, shumë prej të cilëve ishin të shpërndarë në një shpat mali e të mbuluar me borë. Të tjerët të hedhur njëri mbi tjetrin, secili prej tyre me plagë të llahtarshme, të gjithë të veshur civilë, njëri me kokë të prerë. I pyetur se kush ishte përgjegjës për atë masakër, Ualkeri nuk ngurroi të përgjigjej: “Policia serbe!”.”
Në fakt Uolkeri nuk dyshoi asnjë sekondë. Ai kishte shërbyer në Amerikën Qendrore dhe e kuptoi menjëherë nga duart e burrave të masakruar se asnjëri prej tyre nuk ishte luftëtar. Ishin thjesht bujq. Uolker doli përpara gazetarëve ku deklaroi:
“Pasi mbërrita në Raçak, banorët e tij më çuan në vendin, ku me tmerr të madh pashë kufomat e 20 njerëzve, të cilat kishin mbetur atje ku ishin ekzekutuar. Megjithëse unë pashë vetëm 20 kufoma, kryesisht pleqsh, të vrarë nga afër me të shtëna në ballë, në zverk ose në kokë – vëzhgues të tjerë kanë gjetur kufoma të tjera. Edhe pse nuk jam jurist – ajo që pashë më bën ta përcaktoj pa ngurrim këtë rast si masakër, si krim kundër njerëzimit .”
Deklarata e Uolkerit e transmetuar në gjithë mediat botërore dhe reportazhi i BBC-së që bëri investigimin e parë në kohë reale, hodhën poshtë deklaratën e Beogradit se në Raçak ishin vrarë luftëtarë të UÇK – së. Beogradi u mundua të mbrohej duke deklaruar se ata ishin terroristë, por ishte vonë. Në librin e tij “UÇK”, autori britanik, Xhejms Petifer, e përshkruan më qartë situatën:
“Oficeri komandues antiterror i MUP-it, Goran Radosaljeviç, dhe policia bënë një gabim trashanik strategjik, duke lënë një hendek në periferi të Reçakut plot me trupa të vdekurish. Ata lanë pas prova të pakundërshtueshme.
Kreu i MVIK-së, Uilliam Ualker mbërriti me të vërtetë shumë shpejt atje dhe e shpalli ngjarjen një mizori. Ajo u trajtua gjerësisht në shtypin ndërkombëtar si e tillë. Në klimën e kohës, kjo kërkoi kurajo të vërtetë nga ana e Ualker-it, diçka për të cilën ai ka meritë të madhe. Në konferencën për shtyp të 16 janarit, të nesërmen, ai u shpreh se “si një joekspert i fushës, mua (këto vrasje) më duken si ekzekutime”. Pikëpamjet e tij u mbështetën nga gazetari i BBC-së, Jackie Rouland, i cili vërejti se të vrarët “ishin të gjithë njerëz të zakonshëm; fermerë, punëtorë, fshatarë. Të gjithë ishin qëlluar në kokë”.
Në tension e sipër Millosheviçi nuk lejoi një grup investigatorësh të Gjykatës së Hagës, të kryesuar nga Prokurorja Arbor, të vinin dhe të hetonin për rastin në fjalë. Arbor u ndalua në kufirin Maqedoni – Jugosllavi, në Hanin e Elezit. Në vend të tyre u zgjodh një grup mjekësh finlandezë, që edhe ata u penguan shumë në punën e tyre. Helena Ranta, udhëheqësja shkencore e grupit arriti ta paraqiste raportin e saj shumë më vonë, më 17 mars 1998. Tani ai kishte vetëm vlerë statistikore. Por ajo i dha të drejtë Uolkerit, që ishte shpallur “Persona non grata” në Jugosllavi. Edhe pse ky vendim ishte ngrirë sërish nga Beogradi, 48 orë më pas. Raporti i Rantas thoshte:
“…Shumica e viktimave kishin të veshura xhaketa të rënda dhe bluza. Në xhepa nuk u gjetën municione. Veshjet nuk kishin asnjë shenjë dalluese të ndonjë njësie ushtarake. Nuk kishte shenja për shkuljen e shenjave të tilla. Në bazë të të dhënave të autopsisë (p.sh. vrimat e plumbave, gjaku i mpiksur) dhe fotografive të skenave, nuk ka gjasa që veshjet të jenë ndërruar ose hequr. Ndërmjet viktimave, të cilave u ishte bërë autopsia, kishte disa pleq dhe një grua. Shenjat të tregonin që këta njerëz ishin civilë të paarmatosur.”
Ngjarja u konfirmua edhe në një mënyrë tjetër zyrtare. “Uashinton Post”, publikoi në fillim të shkurtit përgjimet e telefonatave të Shainoviçit, zv.kryeministrit serb, që siç kujton Kris Hill nga takimi me të në Rambuje:
“Ai u kthye në burrë të rrënuar. Dy javë më parë, përgjimet në telefonatat e tij, transmetuar deri në “Uashington Post”, dukej se e përfshinin atë, në urdhrin e forcave të sigurisë, për masakrën e Reçakut. Shainoviçi e dinte kuptimin e përgjimeve të bëra publike. Herët a vonë, ai do të arrestohej për krime lufte. (U arrestua në 2 maj 2003 dhe në vazhdim, u akuzua fajtor në 2008).”
Masakra e Reçakut ndërroi rrënjësisht politikën ndaj Millosheviçit dhe Kosovës. Ajo konsiderohet pika e kthesës së diplomacisë ndërkombëtare. Ollbrajt kujton mëngjesin e herët të asaj dite kur mori lajmin:
“Pjesën më të madhe të asaj të shtune e kalova në shtëpi duke folur në telefon me gjysmën e botës. Deri në atë çast, kishim qenë të shqetësuar se gjendja në Kosovë do të shpërthente pasi të shkrinte bora e dimrit. Thirra Sandy Berger-in dhe i thashë e trishtuar: “Duket sikur këtë vit pranvera në Kosovë ka ardhur më herët!”
Sipas të dhënave të shtypit, Berger e kishte marrë këtë përgjigje, kur përgjumësh dhe krejt i hutuar, i kishte thënë Ollbrajtit:
“Po CIA ne na siguroi që nuk do të ketë një ofensivë serbe në Kosovë përpara pranverës!”
Kundërshtarët e Ollbrajt u stepën, ndërkohë që media botërore ishte e gjitha në një ofensivë kundër shefit të Beogradit. Imazhet e masakrave në Bosnjë po ktheheshin sërish. Klinton, telefonoi urgjent Boris Jelcinin. Tani duheshin ndërmarrë hapa konkrete dhe Rusia nuk duhej t’i pengonte më. Nëse do tentonte ta bënte këtë, SHBA-të dhe partnerët europianë do të lëviznin vetë përpara. Ollbrajt kujton se hapat u bënë më konkretë se kurrë:
“I kërkuam gjenaralit Uesley Clark, komandantit suprem të NATO-s dhe gjeneralit Klaus Naumann, kryetar i Komitetit Ushtarak të Aleancës, të shkonin në Beograd dhe të paralajmëronin Millosheviçin që të mos ndërmerrte shkelje të tjera të këtij lloji, të kërkonin që Gjykata për Krimet e Luftës të lejohej të hetonte ngjarjet e Reçakut dhe t’i kujtonin atij se kërcënimi i NATO-s për përdorimin e forcës vazhdonte të mbetej ende në fuqi.
Mblodha gjithashtu këshilltarët e mi më të lartë, duke u kërkuar një strategji që do të gërshetonte forcën dhe diplomacinë për të ndalur veprimet e Millosheviçit, në mënyrë që Kosova të mos kalonte nën guerilet e UÇK-së.”
Klark udhëtoi vërtet në Beograd, ku e kërcënoi hapur Millosheviçin për shkeljen e Marrëveshjes. Ai ia bëri të qartë se tani, ose do të kishte prani ushtarake ndërkombëtare në Kosovë, ose bombardime. Tentativës së Millosheviçit për t’i rezistuar Perëndimit i dha fund vizita e zv.ministrit të Jashtëm Rus, Advejev. Ky i fundit, i vuri mbi tavolinë presidentit serb një mesazh personal nga president rus Boris Jelcin. Sipas dokumenteve amerikane, Jelcin i komunikoi Millosheviçit, pamundësinë për ta mbrojtur pas Reçakut.
Sipas raporteve amerikane, më 15 janar u kuptua edhe më qartë se Millosheviçi nuk e mposhtte dot më UÇK-në. Por edhe raportet e Perëndimit qenë kontradiktore. Eric Laurenti thotë se brenda një jave, nga data 24 deri më 30 janar, CIA përcolli tre informacione që përgënjshtronin njëri-tjetrin. Njëri thoshte se Millosheviçi nuk do të pranojë një konferencë ku do të ishte UÇK-ja; një i dytë, tre ditë më pas, thoshte se ai nuk ishte i gatshëm të përballej me NATO – n dhe do të pranonte një kompromis, dhe i fundit në datën 30, shprehej se Millosheviçi ishte i përgatitur dhe i vendosur për bombardimet.
Por në atë javë kishte ngjarë diçka më shumë rëndësi. Mbasdite vonë, një avion qeveritar francez ishte ngritur nga një bazë ushtarake pranë Parisit në drejtim të Londrës. 90 minuta më vonë, kryeministri Toni Bler doli së bashku me bashkëshorten e tij dhe dy fëmijët në derën e Rezidencës së tyre në “10 Doëning Street”, për të pritur presidentin francez Zhak Shirak. Nuk kishte as media dhe as njoftim zyrtar. Ishte një darkë informale. Disa vite më vonë, Shirak i tha BBC-së, se pas darkës u ngjit së bashku me Kryeministrin Britanik në zyrën e tij private. Shqetësimet e Presidentit Francez qenë dy: që çështja e Kosovës të zgjidhej pa ndërhyrje ushtarake dhe e dyta, që Europa të luante një rol lidershipi. Ai propozoi që Franca dhe Britania, të merrnin në dorë dhe të organizonin konferencën që po përflitej kaq shumë.
“Ne duhet ta detyrojmë Millosheviçin të pranojë një autonomi sa më të gjerë!,- i tha ai Bler. – Dhe ska zgjidhje tjetër!.
Bler ra dakort. Shirak u kthye po atë natë në Paris.
Konsolidimi i Perëndimit, që kishte qenë i vështirë deri atë ditë, tashmë ndodhi. Ollbrajt kujton:
“Për herë të parë gjithçka shkoi sipas planit. Më 29 janar, në Londër, rashë dakord me qëndrimin e Grupit të Kontaktit, i cili u shpreh se bisedimet e paqes mund të fillonin në Rambuje, në Francë, më 6 shkurt. Në shpalljen e planit, me ne u bashkua edhe Ivanovi.”
Hashim Thaçi ishte në Drenicë, në selinë e Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së, natën e vonë të 29 janarit 1998, kur në aparatin satelitor telefonoi ambasadori Hill! Ai ishte bashkë me ambasadorin Petriç. Ata e informuan Shtabin e përgjithshëm për “Parimet e panegociueshme” të Konferencës dhe njëkohësisht për faktin se ajo do të udhëhiqej nga dy ministrat e jashtëm evropianë, ai britanik, Robin Kuk dhe ai francez, Yber Vedrin.
Hill dhe Petriç, ishin ngarkuar me detyrën më të vështirë të Konferencës, të ndërtonin grupin negociator shqiptar. Ideja fillestare ishte që ai të përbëhej nga 5 vetë, 2 prej të cilëve do të ishin të LDK – së; më pas kaluan në një formulë të dytë, ku sërish LDK-ja dominonte, por befas, kuptuan se problemi qëndronte tek UÇK-ja. Ajo jo vetëm që nuk do të pranonte dominimin e LDK – së, por çdo refuzim i saj do të shoqërohej me refuzimin e Partisë së Qoses. Ky e bëri publik këtë qëndrim. Në një rast të tillë, konferenca dështonte.
Një muaj më parë, gjatë takimit në Vjenë, Petriç kishte marrë konfirmimin e Thaçit se UÇK-ja ishte e gatshme për të marrë pjesë në konferencën ndërkombëtare për zgjidhjen e problemit. Po ashtu, Bardhyl Mahmuti kishte garantuar amerikanët, për këtë gjë. Por tani gjërat po lëviznin me shpejtësi. Ato kishin sidoqoftë një pengesë legale, të së drejtës ndërkombëtare, që Klinton ia shprehu Blerit në një telefonatë në datën 21 janar 1999, me këto fjalë:
“Ne kemi punuar shumë thellë për këtë gjë. E dimë që jemi në një situatë shumë të ndryshme sesa ishim legalisht dhe politikisht në Bosnjë, sepse e gjithë bota e dinte se ata njerëz kishin fituar pavarësinë. Këtu flitet për autonomi.”
Më 31 janar, një makinë e vogël me targa të Prishtinës, mbërriti në selinë e Shtabit të Përgjithshëm të UÇK – së. Prej saj zbriti një burrë i shkurtër që edhe më herët i kishte vizituar ato zona. Adem Demaçi, përfaqësuesi Politik i UÇK – së në Prishtinë, kishte mbërritur për të marrë pjesë në një mbledhje ku do të diskutohej se si do të përfaqësohej UÇK-ja në Rambuje. Demaçi, supozohej të ishte drejtuesi i delegacionit të saj. Por ndryshe nga sa pritej, Adem Demaçi u pozicionua komplet kundër Konferencës. Siç kujton Thaçi:
“Demaçi mori një qëndrim të prerë kundër pjesëmarrjes dhe kjo bëri që edhe disa komandantë të jenë skeptikë ndaj shkuarjes sonë në Rambuje.”
Demaçi u largua nga Drenica me një vendim të prerë, por ai nuk i qëndroi marrëveshjes që të mos shprehej derisa Shtabi të merrte një vendim. Në daljen e përjavshme përpara mediave më 2 shkurt, deklaroi:
“UÇK-ja përfundimisht nuk do të marrë pjesë në konferencën e Rambujesë.”
Lajmi ishte shokues. Ai tronditi jo vetëm politikën e Kosovës, por edhe atë ndërkombëtare. I rëndë ishte veçanërisht për SHP të UÇK-së që ishte përgjegjës për marrjen e vendimit.
Pandeli Majko, Kryeministri i Shqipërisë, ndodhej në Uashington në mëngjesin e lutjeve, kur përfaqësuesit e Departamentit të Shtetit i thanë se Sekretarja Ollbrajt donte të fliste me të. Ai nuk arriti ende të merrte telefonatën e Ollbrajt, kur i konfirmuan se Presidenti Klinton kishte pranuar kërkesën për një takim kokë më kokë. Takimi do të zhvillohej në një nga sallat e mëngjesit të lutjeve. Klinton i kërkoi të bënte çdo gjë që mundej që UÇK-ja të pranonte Konferencën. Majko u mundua të lidhej me drejtuesit e UÇK – së, por ai kishte fare pak kontakte me ta.
Shtabi i Përgjithshëm i UÇK – së u mblodh sërish një ditë më pas. Debatet qenë të gjata, sepse një pjesë e komandantëve qenë lëkundur thellë nga deklarata e Demaçit dhe argumentet e tij.
Mbledhja finale u mbajt në Likovc. Diskutimet u ashpërsuan dhe argumentet u rrahën një pas një. Në fund, logjika e Drejtorisë Politike dhe Shtabit të Përgjithshëm fitoi. Siç kujton Hashim Thaçi:
“Ne e kishim filluar dhe bërë luftën, por tani nuk duhej të trembeshim edhe nga beteja politike e diplomatike, që besonim se do të dinim t’i bënim po aq mirë.”
Një orë pas mbledhjes, Jakup Krasniqi, zëdhënësi i Shtabit të Përgjithshëm të UÇK – së, doli përpara gazetarëve. Ai ishte i prerë:
“UÇK-ja do të marrë pjesë në Konferencë dhe do ta japë kontributin e vet politik për zgjidhjen politike të çështjes së Kosovës.“
Krasniqi lexoi edhe emrat e anëtarëve të delegacionit të UÇK – së. Ata ishin: Jakup Krasniqi, anëtar i Shtabit dhe zëdhënës i tij, Azem Syla, komandant i Përgjithshëm dhe ish themelues i UÇK – së, Ramë Buja, Xhavit Haliti, themelues i UÇK – së dhe anëtar i Shtabit të Përgjithshëm dhe Hashim Thaçi, anëtar i Shtabit, drejtor Politik dhe themelues i UÇK – së. Askush nuk e dinte që pikërisht ky i fundit do të luante një rol që askush nuk e priste në Rambuje.
Ajo që nuk u sqarua asnjëherë është se çfarë pavarësie dhe të drejte kishte ky delegacion për të firmosur. Siç u pa më pas, gjërat u komplikuan pikërisht në këtë drejtim. I pyetur në vitin 2000, Hashim Thaçi është shprehur:
“Përpara nisjes ne kishim mandat të firmosnim çdo marrëveshje që e gjykonim në favor të Kosovës, më përjashtim të ndonjë dokumenti që nuk ishte në përputhshmëri të interesave të popullit të Kosovës.”
A ishte UÇK-ja e përgatitur për faktin që në Rambuje, të gjithë faktorët ndërkombëtarë, ishin kundër dizintegrimit të Jugosllavisë? Që ata kërkonin një autonomi substanciale për Kosovën, por kurrë pavarësi. Thaçi shprehet se PO:
“Ne qemë deri diku të përgatitur për atë që do të gjenim atje. Ne e dinim mirë se në Rambuje nuk mund të fitonim pavarësinë. Ajo Konferencë nuk po zhvillohej për pavarësi, por për zgjidhje politike kalimtare të problemit të Kosovës. Ideja jonë ishte që të firmosnim një dokument tranzicioni që t’i jepte Kosovës të drejtën e vetëvendosjes pas një periudhe kohore të caktuar.”
Më 4 shkurt 1999, në ora 2:13 presidenti Klinton telefonoi Kryeministrin e Britanisë, Toni Bler. Një pjesë e bisedës iu kushtua Kosovës, siç dëshmon ky transkript:
“Bler: Tani, Bill, unë mendoj se duhet të shkëmbejmë disa fjalë për Kosovën.
Klinton: Po, më lër të të them se Kryeministrat e Maqedonisë dhe Shqipërisë ishin këtu sot dhe ata do të na bëjnë ne të dukemi burra të vjetër. Ata janë njëri 31 dhe tjetri 33 vjeç.
Bler: Unë besoj se Robin (Kuk) dhe Madlen (Ollbrajt) kanë bërë një punë shumë të mirë dhe më në fund kemi një plan. Palët po vijnë të gjitha të shtunën dhe UÇK-ja po ashtu po merr pjesë. Kjo është një gjë shumë e mirë.”
Më 5 shkurt 1999, Rexhep Qosja dhe delegacioni i partisë së tij, qenë ulur duke pritur pranë një lokali të Aeroportit të Prishtinës. Aeroporti ishte i qetë dhe kudo dukeshin forca sigurie. Më në fund delegacioni i shqiptarëve të Kosovës, i kompletuar, priste të nisej për në Rambuje. Trupat speciale amerikane të njësisë “Alfa” të CIA-s kishin shkuar në Likovc për të transportuar drejt aeroportit të Sllatinës, përfaqësuesit e UÇK – së.
Të tjerët prisnin në aeroport, bashkë me dy avionët francezë që do të dërgonin delegacionin direkt për në Paris. Rexhep Qosjes iu desh të priste gjatë, derisa një prej diplomatëve francezë iu kërkoi që të ktheheshin mbrapsht në shtëpi. Policia Serbe nuk kishte lejuar kalimin e përfaqësusve të UÇK – së, sipas marrëveshjes që kishte me Parisin. Ajo kishte deklaruar se nëse do t’i shihte në rrugë do t’i arrestonte. Përfaqësuesit e UÇK – së ishin kthyer mbrapsht.
Një ditë më pas, ndërkombëtarët deklaruan se marrëveshja u arrit. Rexhep Qosja ishte sërish duke pritur në aeroport, bashkë me përfaqësuesit e LDK – së dhe të pavarurit, kur një diplomat francez rrëfeu se “aAta” po vinin. Disa makina të blinduara u afruan tek avioni dhe prej tyre zbritën tre vetë. Ishin Azem Syla, Jakup Krasniqi dhe Ramë Buja. Xhavit Haliti ishte në Tiranë dhe do të udhëtonte prej andej, ndërsa për të pestin, Hashim Thaçin, askush nuk dinte gjë.
“Unë isha nisur në drejtim të Shqipërisë, ndihesha më i sigurt në rrugën e “vjetër”. Përpos anëtarëve të Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së, askush nuk ka qenë në dijeni të lëvizjeve të mia në atë kohë. Kaluam fshatrave të Hasit, pastaj përmes Pashtrikut në Shqipëri, në fshatin Vlahën, pastaj Kukës. Askush në Shqipëri nuk ishte në dijeni të lëvizjeve të mia. Nuk pata asnjë kontakt me politikanë shqiptarë. Unë shoqërohesha nga rojet e UÇK -së. Vetëm nga ata. ”
Kështu deklaronte Hashim Thaçi një vit më vonë. Nuk dihet përse ai zgjodhi këtë rrugë. Përse pati më shumë besim tek kalimi i vështirë i kufirit sesa tek garancia e ndërkombëtarëve.
Në 6 shkurt 1999, në sportelin e kompanisë “Sëissair” në aeroportin e Tiranës, u shfaqën disa shqiptarë të Kosovës. Dy prej tyre rrinin bashkë. Ata check-uan bagazhet në linjën Tiranë – Zyrih – Paris, ku pritej të arrinin në orën 19:30 të darkës. Njëri ishte Hashim Thaçi, tjetri, Kadri Veseli. Asgjë e tyre nuk të tërhiqte vëmendjen. Siç kujton vetë Thaçi:
“Më besoni se në linjën Tiranë – Zyrih – Paris, kam udhëtuar fare thjesht me Kadri Veselin si udhëtar i zakonshëm, i qetë duke lexuar shtypin gjerman.”
Dy djemtë nuk ishin as të armatosur, si tre përfaqësuesit e tjerë, që kishin udhëtuar nga Drenica në Paris me pistoleta në brez. Siç kanë rrëfyer më vonë, përpara se të niseshin, ata kishin vendosur që nëse serbët i ndalonin, do të luftonin deri në fund, nuk do të dorëzoheshin gjallë. Armët, i dorëzuan në hyrje të Kështjellës së Rambujesë, nën vështrimet e çmeritura të rojeve franceze të sigurisë.
Konferenca dukej se kishte edhe pjesën e saj groteske. Më 29 janar, ishte përcaktuar që ajo do të zgjaste një javë, ndryshe nga çdo rast i ngjashëm që nuk kishte pasur limit. Kjo kishte ndodhur pas insistimit francez, për një detaj pa asnjë peshë politike, siç kujton Hill:
“Grupi i Kontaktit vendosi afatin shtatë ditor, me opsionin, për ta shtyrë edhe një javë. “Nga doli ky afat?”, pyeta Phil Reeker, duke kujtuar se në Dayton, nuk patëm vendosur asnjë të tillë. “Ata duhet të dinë sa ushqim duhet të porosisin”, u përgjigj ai.”
Hashim Thaçi mbërriti në Paris në orar. U ul në aeroportin “Sharl De Gol”, ku e prisnin disa mbështetës të UÇK – së me makinën e tyre private. U nisën bashkë për në Rambuje.
Në ora 21:00, në derën qendrore të Kështjellës, rrethuar në masa ekstreme sigurie, u paraqitën dy vetë. Një i tretë që përkthente frëngjisht, iu tha fare normalisht se njeri prej tyre ishte anëtar i delegacionit të Kosovës dhe përfaqësues i UÇK – së. Policët u befasuan, ashtu si edhe organizatorët.
“Quhet Hashim Thaçi”, shqiptuan ata në radio dhe thotë që është anëtar delegacioni.
Organizatorët e panë atë moment që Thaçi mungonte. 10 minuta më pas, dy diplomatë dolën tek dera për të ftuar brenda. Thaçi u nda me miqtë dhe mori drejt kështjellës.
Dera u mbyll pas tij. Ai nuk e dinte, se ajo derë po mbyllte një pjesë të jetës së tij dhe po hapte një tjetër: derën që do ta çonte në disa nga momentet më të rëndësishme të vendit të tij…