Policia e Shtetit vijon të zbatojë masa të shtuara në pikat tokësore të kalimit kufitar, në porte e aeroporte, me qëllim krijimin e lehtësirave ligjore për të shmangur radhët e gjata për shkak të fluksit në rritje të shtetasve që vijnë për të kaluar festat e fundvitit në Shqipëri.
Kështu, gjatë kontrolleve oficerët e Policisë Kufitare të Rinasit, kanë ndaluar dhe arrestuar provizoritsht, me qëllim ekstradimi drejt Gjermanisë, shtetasin turk B. T., 33 vjeç, banues në Turqi. Nga verifikimet e kryera në hyrje të Republikës së Shqipërisë, rezultoi se ky shtetas ishte person i shpallur në kërkim ndërkombëtar nga Interpol Wiesbaden/Gjermani.
Ndërsa nga shërbimet e Policisë Kufitare në Port Durrës, u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit kosovar Z. K., 53 vjeç banues në Kosovë. Ky shtetas për të kaluar kufirin ka përdorur pasaportë kosovare dhe një leje qëndrimi gjermane në emër të një shtetasi tjetër, duke shfrytëzuar ngjashmërinë.
Policia Kufitare vijon kontrollet e alternuara në bazë të rriskut dhe me përzgjedhje, si dhe në kufirin jeshil me qëllim parandalimin dhe goditjen e krimeve ndërkufitare.