Rajoni

Marrëveshja Kosovë – Serbi, fillon mbulimi i targave të makinave


Bëhu pjesë e Grupit Zyrtar të Opinion.al
>> KËTU <<
               Publikuar në : 17:02 - 04/10/21 |
Opi Nion

Nga mëngjesi i së hënës, shenjat shtetërore të targave të makinave që hyjnë nga Serbia në Kosovë dhe anasjelltas, mbulohen me letër ngjitëse.

Kjo shënon edhe fillimin e zbatimit të pikës së dytë të marrëveshjes së javës së kaluar të arritur midis palëve me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian dhe të mbështetur nga Shtetet e Bashkuara, për uljen e tensioneve në veriun e Kosovës.

Sipas marrëveshjes, letrat ngjitëse do të përdoren deri në gjetjen e një zgjidhjeje përfundimtare dhe një grup punues do të fillojë më 21 tetor përpjekjet për të gjetur një zgjidhje të përhershme.

Policia e Kosovës tha se zbatimi i marrëveshjes ka filluar në nivel vendi, në të gjitha vendkalimet kufitare.

Të shtunën forcat paqeruajtëse të KFOR-it u vendosën në vendkalimet kufitare me Serbinë, në Jarinjë dhe Bërnjak, duke i dhënë fund bllokimit të tyre për gati dy javë me radhë.

Tensionet përfshinë veriun e Kosovës më 20 shtator pasi që serbët lokal dhe Beogradi reaguan me zemërim ndaj vendimit të qeverisë së Kosovës, për të zbatuar reciprocitetin për përdorimin e targave të makinave.

Qeveria vendosi që nga 20 shtatori, makinat që hyjnë nga Serbia në Kosovë, duhet të marrin targa të përkohshme, njësoj sikundër veprohet në Serbi me makinat nga Kosova për më shumë se dhjetë vjet me radhë. Ajo dërgoni atje njësitë e posaçme për të siguruar zbatimin e vendimit.

Protestuesit serbë vendosën barrikada në rrugë ndërsa Beogradi ngriti shkallën e gatishmërisë ushtarake.

Të enjten palët arritën në Bruksel një marrëveshje trepikëshe, të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian dhe të mbështetur nga Shtetet e Bashkuara, pika e parë e së cilës parashihte atë që edhe ndodhi gjatë të shtunën– largimin e barrikadave dhe njësive të posaçme të policisë nga vendkalimet kufitare.

Marrëveshja e së enjtes u përshëndet nga diplomatët perëndimorë, ndërsa u kritikua ashpër nga partitë opozitare në Kosovë, të cilat thanë se me këtë, qeveria e Kosovës hoqi dorë nga sovraniteti në veriun e vendit.

Opozita në Kosovë kritikon qeverinë për marrëveshjen mbi targat

Marrëveshja e së enjtes u përshëndet nga diplomatët perëndimorë, ndërsa u kritikua ashpër nga partitë opozitare në Kosovë, të cilat thanë se me këtë, qeveria e Kosovës hoqi dorë nga sovraniteti në veriun e vendit.

Të hënën përgjatë një debati në parlament, partitë opozitare thanë se me ketë marrëveshje, qeveria e kryeministrit Albin Kurti po e njeh legjitimitetin e institucioneve të Serbisë në territorin e Kosovës.

Abelard Tahiri, nga Partia Demokratike, tha se vendimi i qeverisë për vendosjen e reciprocitetit me Serbinë për targat e makinave, u mor pa u këshilluar as me partitë opozitare e as me partnerët ndërkombëtarë, përfshirë Shtetet e Bashkuara.

Ai e cilësoi të dëmshme përdorimin e targave të lëshuara nga autoritetet e Serbisë me akronimet e qyteteve të Kosovës.

Ky është hapi i parë që kemi filluar me implementimin e “Zajednicës” (Asociacioni i komunave me shumicë serbe), me kompetenca ekzekutive, ky është dëmi më i madh që i keni bërë Republikës së Kosovës, për dy dekada nuk ka pasur marrëveshje më të dëmshme se sa kjo që sot e kemi”, tha zoti Tahiri.

Kjo çka keni bërë ju, si rezultat i një sjelljeje euforike, pa u koordinuar mirë dhe të paplanifikuar është humbje për Kosovën. Sot qeveria e Serbisë lëshon zyrtarisht, të pranuara nga qeveria e Kosovës, targa për territorin e Kosovës. Çka është kjo? A është “Zajednica”? Këtu ka nevojë të sqarohet çka është kjo, çka keni pranuar ju, pra keni zyrtarizuar institucionet kriminale dhe paralele të Serbisë në Kosovë. Keni nënshkruar një marrëveshje ku pranoni që Serbia të lëshojë dokumente për Kosovën, jeni kthyer dhjetë vjet prapa të paktën”, tha Arben Gashi nga Lidhja Demokratike e Kosovës.

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, njëherësh negociator i marrëveshjes, tha se ajo është krejt ndryshe nga marrëveshjet paraprake.

Unë pajtohem që ju reciprocitetin e shihni si ‘show’. Po të mos kishte qenë ‘show’ do ta kishit bërë edhe më herët, por ju thellë në vete besoni që Kosova nuk është dhe nuk duhet të ndihet e barabartë në raport me Serbinë. Kjo juve ju gërryen shumë, nuk ju lejon as të merrni frymë. Ju thatë se sot Serbia lëshon targa me emërtimin e qyteteve të Kosovës. Jo i nderuar, Serbia lëshon targa me emërtime të tilla që nga viti 1999 jo sot. Për herë të parë ato trajtohen si targa ilegale”, tha zoti Bislimi.

Marrëveshja e 30 shtatorit uli tensionet, ndërmjet palëve, por zhvillimet para saj pasqyruan mospajtimet e thella ndërmjet Kosovës, që ka shpallur pavarësinë më 2008 dhe Serbisë e cila kundërshton shtetësinë e saj. Për dhjetë vjet me radhë të dyja palët janë përfshirë në një proces bisedimesh për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet tyre, që është kusht për integrimet evropiane. Por, përparimi është ende i paktë.

 

 

Pas