Aleatët e NATO-s e kanë emëruar të mërkurën kryeministrin e Holandës, Mark Rutte, si shefin e ardhshëm të NATO-s.
Rutte do të pasojë në këtë post Jens Stoltenberg.
Kryeministri holandez do ta marrë detyrën e tij si sekretar i përgjithshëm nga 1 Tetori 2024, kohë kur përfundon mandati i Stoltenberg.
Stoltenberg, i cili ka 10 vjet në krye të NATO-s, tha se po e lë aleancën në “duar të sigurta” dhe e quajti Ruttes një lider të fuqishëm transatlantik.
“E mirëpres vendimin e aleatëve të NATO-s për ta zgjedhur Mark Rutten si pasuesin tim. Mark është një transatlantik i mirëfilltë, një lider i fuqishëm. I uroj atij sukses teksa ne vazhdojmë ta forcojmë NATO-n për sfidat e tanishme dhe të ardhshme”, tha Stoltenberg.
Kreu i ardhshëm i NATO-s do të përballet me sfidën e vështirë të mbështetjes së aleatëve për luftën e Ukrainës, ndërkohë që do të ruhet nga çdo përshkallëzim që mund ta tërheqë aleancën ushtarake në një përballje ushtarake me Moskën.