Atalanta si Leicester? Pse jo! Nuk ka kufizime ish-trajneri i axurrëve, Marcello Lippi, i cili për mikrofonat e “Radio Anch’io Sport” tha se “po i përcjell të gjalla, me entuziazëm dhe gëzim të madh sukseset e skuadrës bergamose në kampionat. Unë jam i lumtur, sepse kam qenë shumë afër presidentit Percassi dhe trajnerit Gasperini. Në Bergamo ka një atmosferë familjare dhe nuk ka aq shumë ekspertizë. Atalanta të përsërisë Leicesterin? Natyrisht, është shumë e vështirë, por pse jo. Këto gjëra ndodhin në futboll, le të shohim se si po kryeson Leipzig në Gjermani, një debutues në Bundesliga.”
Bravo Montella – Lippi promovon ekipin e Milanit në vend të trajnerit Montella. “Ky ekip udhëhiqet nga një dëshirë e madhe për sukses dhe përbëhet me kaq shumë italianë. Ata kanë një ndjenjë të madhe përkatësie, janë të rinj të vrullshëm e mjaft interesantë. Kuptohet, ka ndikuar edhe dora krijuese e Montellas.” Lidhur me situatat që po kalojnë Allegri, Spalletti dhe Sarri, trajneri italian i kombëtares kineze shton: “Konstatoj se kanë ende pak gjëra për të bërë në drejtimin e duhur, duke korrigjuar mekanizmat e ekipeve të tyre. Sidomos në dy aspekte, taktike dhe psikologjike, kanë nevojë për t’u “vajisur”. Më shumë arsye për t’u ankuar ka Sarri, sepse i është larguar qendërsulmuesi më i madh në botë, Higuain, dhe zëvendësuesi, Milik, u dëmtua menjëherë.”