Presidenti i Maqedonisë, Gjorge Ivanov, sonte, ka deklaruar se do të respektojë Kushtetutën e Maqedonisë dhe mandatin do t’ia japë vetëm partisë e cila do të garantojë që ka shumicën në Parlament.
Presidenti Ivanov takoi, veç e veç, liderët e partive politike parlamentare. Lideri i LSDM-së Zoran Zaev pas takimit u shpreh i bindur se do të marrin mandatin nga presidenti Ivanov për formimin e Qeverisë. Zaev tha se Ivanov i ka kërkuar dëshmi për mbështetjen nga 61 deputetë.
Zaev deklaroi se erdhi te presidenti Ivanov për të marrë mandatin por Presidenti është arsyetuar me atë se Zaev nuk ka akoma shumicën ne Kuvend. Ivanov i ka kërkuar mes të tjerash Zaevit deshmi me nënshkrimet e deputetëve. Megjithatë ai është i bindur se do të formojë shumicën.
Gruevski nuk komenton takimin me Ivanov
Pas takimit, Nikolla Gruevski nuk u prononcua se për çfarë u bisedua në takim.
Lideri i BDI-së, Ali Ahmeti u shpreh se me presidentin Ivanon u bisedua se si të arrihet një mazhorancë parlamentare, si dhe për gjendjen politike momentale në Maqedoni.
Ahmeti, poashtu tha se nuk është çelësi i Qeverisë së re dhe shprehu se të gjitha opcionet janë të hapura meqë ende nuk është sjellur vendim nga strukturat brendapartiake.
Në pyetjen se a e pranon Gjorge Ivanovin si kryetar, Ali Ahmeti u shpreh se në të kaluarën ka vepruar me zemër, kurse tani me tru.