Bota

Manovrimi i Shteteve të Bashkuara mes sfidave gjeopolitike dhe ndërkombëtare



Bëhu pjesë e Grupit Zyrtar të Opinion.al
>> KËTU <<
               Publikuar në : 18:19 - 14/10/22 |
Opi Nion

Shtetet e Bashkuara publikuan këtë javë Strategjinë e Sigurisë Kombëtare, një dokument me 48 faqe, që paraqet ato që Presidenti Joe Biden i konsideron sfidat më të vështira për vendin dhe se si administrata e tij planifikon të manovrojë ndërmjet këtyre sfidave të brendshme dhe të jashtme.

Strategjia është një dokument që kërkohet nga Kongresi. Në dokumentin e këtij viti përshkruhet doktrina e Presidentit Biden që është njëkohësisht ideologjike dhe pragmatike – duke i konsideruar kundërshtarët gjeopolitikë, si Kina dhe Rusia, pjesë të këndvështrimit të tij të një bote ku “luftohet mes autokracive dhe demokracive”. Në të njëjtën kohë shprehet synimi për të bashkëpunuar me të gjitha vendet pa dallime, për t’u përballur me pandeminë, ndryshimin klimatik, inflacionin dhe kërcënime të tjera globale.

Strategjia thotë se në fillimin e asaj që Presidenti Biden e quan “dekada vendimtare”, ekziston një mundësi e ngushtë për t’u përballur me sfidat e përbashkëta trans-nacionale, madje edhe me rivalitetet e tanishme të fuqive të mëdha, për të përparuar interesat e Shteteve të Bashkuara dhe për ta vendosur botën në rrugëtimin drejt një të ardhmeje më të ndritur.

“Shtetet e Bashkuara do të udhëheqin me vlerat tona, do të bashkëpunojmë nga afër me aleatët dhe partnerët tanë, dhe me të gjithë ata me të cilët kemi interesa të përbashkëta”, thotë Presidenti Biden në parathënie. “Ndërsa bota vazhdon të manovrojë mes efekteve të vazhdueshme të pandemisë dhe pasigurisë globale ekonomike, nuk ekziston asnjë vend tjetër më i përgatitur se Shtetet e Bashkuara për të udhëhequr me fuqi dhe qëllime” të qarta.

Dokumenti strategjik paraqet një plan treplanësh që administrata e Presidentit Biden ta realizojë këtë objektiv: investimin brenda vendit në industri, novacion, arsim, shëndetësi dhe demokraci; mobilizimin e aleancave dhe koalicioneve për të rritur ndikimin kolektiv dhe për t’u dhënë trajtë rregullave të lojës; si dhe modernizimin dhe forcimin e ushtrisë amerikane.

Sfidat strategjike në fundin e epokës së pas-Luftës së Ftohtë

Administrata e Presidentit Biden identifikon dy sfida kryesore strategjike. E para është konkurenca mes fuqive kryesore për t’i dhënë trajtë rendin të ardhshëm botëror, ndërkohë që bota po lë pas një epokë të pas-Luftës së Ftohtë, ku Shtetet e Bashkuara kishin hegjemoninë. E dyta është se si të punohet me aleatët dhe kundërshtarët për t’u përballur me probleme trans-nacionale, përfshirë ndryshimin klimatik, pasigurinë ushqimore, sëmundjet e transmetueshme, terrorizmin, mungesat në energji dhe me inflacionin.

“Kemi arritur në një pikë kur mund të përballemi me të dyja aspektet njësoj – me konkurencën gjeopolitike dhe me sfidat e përbashkëta trans-nacionale – prandaj po ndërtojmë një strategji për këtë qëllim, për konkurencën që nuk mund ta injorojmë dhe për bashkëpunimin global pa të cilin nuk mund të dalim me sukses”, tha këshilltari i sigurisë kombëtare Jake Sullivan, ndërsa paraqiti strategjinë në një aktivitet të organizuar të mërkurën nga Universiteti Georgetown dhe nga Qendra për një Siguri të Re Amerikane.

Moska dhe Pekini veçohen si “fuqi autoritare revizioniste” – aktorë jodemokratikë, qëllimi i të cilëve është të ndryshojnë rendin global dhe të paraqesin një kërcënim për paqen dhe stabilitetin ndërkombëtar duke “bërë, ose duke u përgatitur për, luftëra agresioni” – një referencë për sulmin e Rusisë në Ukrainë dhe për rritjen e pranisë ushtarake të Kinës në Detin e Kinës Jugore dhe kërcënimet e saj ndaj Tajvanit. Kina e konsideron Tajvanin një provincë rebele dhe nuk e ka përjashtuar marrjen e tij me forcën e armëve.

Këto vende veçohen gjithashtu për “dëmtimin në mënyrë aktive të proceseve politike demokratike të vendeve të tjera, përdorimin e teknologjisë dhe zinxhirëve të furnizimit për presion dhe shtypje, dhe eksportimin e një modeli joliberal të rendit ndërkombëtar”.

Megjithatë, strategjia thekson se demokracitë dhe autokracitë mund të bashkëpunojnë, tha Stacie E. Goddard, e cila jep mësim në Kolegjin Wellesley në Massachusetts.

“Problemi, thotë strategjia, nuk është se Kina dhe Rusia nuk janë demokraci”, tha zonja Goddard për Zërin e Amerikës. “Problemi është se ata janë duke nënvlerësuar disa rregulla bazë që mundësojnë rendin në politikën ndërkombëtare”.

Këto rregulla, tha zoti Sullivan, përfshijnë parimet e sovranitetit.

“Shumë vende që nuk kanë institucione demokratike janë në anën e mbrojtjes dhe respektimit të kushteve dhe parimeve të Kartës së OKB-së,” tha ai, duke përmendur votimin masiv në Kombet e Bashkuara këtë javë për të refuzuar aneksimin e territoreve të Ukrainës nga Rusia.

Kritikët vunë në dukje mospërputhjen midis retorikës së administratës në udhëheqje të luftës globale për të ruajtur respektin për sovranitetin, integritetin territorial dhe ndalimin e marrjes së territorit përmes luftës, dhe politikave aktuale që ajo ndjek në terren, veçanërisht në lidhje me Izraelin.

Administrata e Presidentit Biden ende nuk e ka anuluar dhe as nuk e ka kritikuar vendimin e ish-Presidentit Donald Trump në vitin 2019 për të njohur aneksimin e Lartësive Golan nga Izraeli, tha Khaled Elgindy, bashkëpunëtor në Institutin e Lindjes së Mesme. Lartësitë e Golanit ishin pjesë e territorit sirian që u pushtua nga Izraeli në 1967 dhe u aneksua në 1981.

“As nuk ka bërë thirrje për t’i dhënë fund pushtimit të Bregut Perëndimor dhe Rripit të Gazës nga Izraeli, siç kanë bërë presidentët e mëparshëm”, tha zoti Elgindy për Zërin e Amerikës.

Kritikët theksojnë gjithashtu vendimin e fundit të OPEC+, një grup vendesh prodhuese të naftës, të cilët pavarësisht lobimit intensiv nga administrata, vendosën të ulin prodhimin për të rritur çmimin global të naftës dhe në këtë mënyrë të ndihmojnë në financimin e luftës së Presidentit rus Vladimir Putin kundër Ukrainës.

Strategjia ofron parime të shëndosha për të udhëhequr politikën në Lindjen e Mesme, që nga avancimi i integrimit rajonal, tek garantimi i sigurisë së partnerëve dhe aleatëve nga kërcënimet rajonale dhe të jashtme, deri te mbështetja e kushteve të përmirësuara të të drejtave të njeriut, të gjitha këto pa tejkaluar burimet e Shteteve të Bashkuara dhe pa shpërqëndruar vëmendjen nga prioritetet globale, tha Daniel B. Shapiro, bashkëpunëtor për Lindjen e Mesme në Këshillin Atlantik.

“Por rajoni ecën me shpejtësi, dhe edhe kur ato fjalë u publikuan, ngjarjet sfiduan aftësinë për ta zbatuar këtë strategji”, tha zoti Shapiro, duke shtuar se Lindja e Mesme tradicionalisht i rrëzon “dokumentat strategjikë, duke i detyruar politikëbërësit të bëjnë zgjedhje që kërkojnë shkëmbimet më të dhimbshme, të një prioriteti thelbësor kundrejt një prioriteti po aq të vlefshëm”.

Sfida gjeopolitike me më shumë pasoja

Ndërsa data e planifikuar fillimisht për publikimin e dokumentit në shkurt 2022 u shty nga sulmi i Rusisë në Ukrainë, fokusi i administratës amerikane tek Kina nuk ka ndryshuar – strategjia nënvizon se Pekini është “sfida më e rëndësishme gjeopolitike” e Shteteve të Bashkuara.

Dokumenti thekson se Rusia është një “burim përçarjeje dhe paqëndrueshmërie globale” dhe përbën një “kërcënim të menjëhershëm dhe të vazhdueshëm për rendin rajonal të sigurisë në Evropë”. Ai gjithashtu i quan fuqitë e tjera autokratike më të vogla “agresive dhe destabilizuese”, përkatësisht Iranin dhe Korenë e Veriut. Por ai argumenton se asnjë vend tjetër përveç Kinës nuk ka “kapacitete në të gjithë spektrin”.

“Agresioni i Rusisë është një sfidë, por është e qartë se kjo administratë ende e sheh Kinën si problemin afatgjatë për ndikimin e Shteteve të Bashkuara”, tha zonja Goddard.

Administrata amerikane thotë se Pekini përdor “kapacitetin e tij teknologjik dhe ndikimin në rritje mbi institucionet ndërkombëtare për të krijuar kushte më toleruese për modelin e tij autoritar dhe për t’i dhënë trajtë përdorimit të teknologjisë dhe normave globale për të favorizuar interesat dhe vlerat e tij”.

Administrata shton se Pekini përdor fuqinë e tij ekonomike për t’u ushtruar presion vendeve dhe për të modernizuar me shpejtësi ushtrinë e tij, ndërsa kërkon të dëmtojë aleancat e Shteteve të Bashkuara në rajonin Indo-Paqësor dhe në mbarë botën.

Në të njëjtën kohë, administrata amerikane pranon se Kina është “gjithashtu qendrore për ekonominë globale dhe ka një ndikim të rëndësishëm në sfidat e përbashkëta, veçanërisht për ndryshimet klimatike dhe shëndetin publik global” dhe se është e mundur “të bashkëjetojmë në mënyrë paqësore dhe të ndajmë dhe të kontribuojmë së bashku për përparimin njerëzor”.

Publikimi i strategjisë vjen ndërsa Partia Komuniste Kineze po përgatitet për Kongresin e saj Kombëtar këtë fundjavë. Presidenti Xi Jinping pritet të zgjidhet për një mandat të tretë pas një amendamenti kushtetues të vitit 2018. Takimi është konceptuar për të sjellë “ripërtëritjen e madhe të kombit kinez” deri në vitin 2049.

“Kjo ripërtëritje dhe aspekte të zhvillimit të përgjithshëm të Kinës, do të pengohen nga veprimet e administratës Biden”, tha Robert Daly, drejtor i Institutit Kissinger të Qendrës Wilson për Kinën dhe Shtetet e Bashkuara.

Mesazhi i administratës amerikane për popullin kinez, i tha zoti Daly Zërit të Amerikës, është se ndërsa Shtetet e Bashkuara nuk do t’i dëmtojnë ata në mënyrë aktive, Uashingtoni nuk do të ndihmojë më në aspektet kyçe të zhvillimit të tyre teknologjik, sepse qeveria e tyre përbën kërcënim për një rend të bazuar në rregulla.

Administrata ka për qëllim të ruajë fokusin e rivalitetit SHBA-Kinë në politikat dhe strategjitë e qeverive, tha zoti Sullivan. “Është shumë e rëndësishme për ne që mos të shndërrohet në amerikanët kundër kinezëve”.

Pas