Ministri i Drejtësisë, Ulsi Manja, mori pjesë në tryezën e organizuar nga Qendra për Studimin e Demokracisë dhe Qeverisjes, ku u prezantua raporti “Pavarësia dhe llogaridhënia e Prokurorisë së Posaçme si parakushte për performancën dhe integritetin institucional”.
Në këtë forum, Ministri Manja theksoi thelbin e Reformës në Drejtësi: garantimin e pavarësisë dhe ndërtimin e një sistemi të qëndrueshëm dhe funksional të llogaridhënies për SPAK-un.
“Pavarësia nuk mjafton në vetvete, por ka kuptim vetëm kur shoqërohet me përgjegjësi dhe prodhon rezultate konkrete për qytetarët,” u shpreh Ministri i Drejtësisë, duke nënvizuar se integriteti institucional ndërtohet përmes një balance të kujdesshme ndërmjet lirisë së vendimmarrjes dhe detyrimit për të dhënë llogari.
Ministria e Drejtësisë luan një rol kyç si hallkë lidhëse dhe garanci institucionale që drejtësia të funksionojë në përputhje me ligjin, me koordinim të ngushtë dhe standarde të qarta, gjithmonë në respekt të pavarësisë kushtetuese të institucioneve të sistemit.
Në këtë kuadër, po fuqizohen më tej mekanizmat e monitorimit, transparencës dhe matjes së performancës, për të siguruar që çdo hallkë e sistemit të drejtësisë të jetë jo thjesht funksionale, por edhe e besueshme në sytë e publikut.
“Kjo është drejtësia që duam – e pavarur, por edhe e përgjegjshme.
Dhe kjo është rruga ku ecim me vendosmëri dhe pa kthim pas,” përfundoi Ministri Manja.