Një ditë para zgjedhjeve në Himarë, Fredi Beleri ka ankimoi në KAS vendimin e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve për heqjen e mandatit të tij si kryebashkiak i zgjedhur.
Përmes një reagimi nga burgu ai thotë se ankimi i tij nuk është marrë ende në shqyrtim.
Beleri i cilëson manipulim dhe përdhosje të kushtetutës zgjedhjet e Himarës pasi ligjërisht sipas tij nuk ekzistonte vakanca në këtë bashki.
“Të nderuar miq, Himariotë!
Skandali i zgjedhjeve në Himarë shkon përtej manipulimeve dhe vjedhje të zakonshme. Ky skandal ka kapërcyer tashmë kufijtë e ligjit dhe ka përdhosur Kushtetutën dhe Kodin Zgjedhor.
Sipas Nenit 133 të Kodit të Procedurës Administrative, ankimi administrativ ndaj vendimit të KQZ pezullon ekzekutimin e tij, deri në njoftimin e vendimit të ankimit.
Ankimi është paraqitur përpara datës së zgjedhjeve dhe vendimi akoma nuk është marrë nga KAS dhe rrjedhimisht as është njoftuar, pra ekzekutimi i vendimit të KQZ është i pezulluar, qysh përpara zgjedhjeve dhe akoma aktualisht.
Në këto kushte, mandati i Fredi Belerit nuk është ende i pavlefshëm ligjërisht, sado e pabesueshme mund të tingëlloje dhe as sjell efekte vendimmarrja për ndërprerjen e parakohshme të këtij mandati. Ligjërisht nuk ka ende vakancë, por zgjedhjet u zhvilluan, duke u zgjedhur tjetër kryetar Bashkie.
Ky precedent, sa i pabesueshëm aq edhe antiligjor e antikushtetues, është prova më e madhe që zgjedhje të lira nuk ka më dhe me këtë regjim nuk ka shpresë të ndodhin.
Një fazë e re e opozitarizmit duhet të ngjizet sa më shpejt….
Mosbindje dhe përbuzje për hajdutët e votave ..
Lajmi i mirë i vetëm është që kalaja e Himarës, e Lukovës e Nivicës dhe Dhërmiu, nuk janë mposhtur akoma!
Burrat e Himarës nuk janë gjunjëzuar ende!”, shkruan Beleri.