Manchester City është i pandalshëm. Të besuarit e Pep Guardiola-s kanë vazhduar ecurinë pozitive duke mundur edhe Arsenal brenda në Etihad me rezultatin 3-1.
Kjo ishte fitorja e 10-të e Qytetarëve në 11 ndeshjet e Premier League dhe as Topçinjtë e Londrës nuk përbënë ndonjë problem serioz për ta. Ndeshja filloi me vrull të madh, si gjithmonë këtë sezon për vendasit, dhe goli erdhi nga De Bruyne në minutën 19’ pas një goditje fantastike nga jashtë zone. Pas pushimit ishte Sergio Aguero ai që me penalltinë e fituar nga Sterling dyfishoi rezultatin përpara se të zëvendësohej nga Gabriel Jesus.
Lacazette i jep shpresë miqve me golin e tij të bukur në minutën e 65’ por Jesus rivendosi rregullin në Manchester pas asistim të David Silva. City duket i papërmbajtshëm për momentin. Një skuadër që do të jetë shumë e vështirë të mposhtet dhe mbetet për t’u parë nëse do të shpiket një taktikë që mund të përballojë djemtë e Guardiola-s këtë sezon.