Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale Ogerta Manastirliu, në një komunikim për mediat ka shprehur se shërbimi i urgjencës kombëtare është në gatishmëri të plotë 24/7 dhe në ditën e fundit numri i thirrjeve ka arritur në rreth 3 mijë thirrje në ditë.
“Jemi në momentet ku thirrjet arrijnë deri në 3000, vetëm ditën e djeshme në numrin unik 127 janë pritur 2996 thirrje, sepse mos harrojmë që urgjenca po punon me kapacitet të plotë pret thirrje dhe jep shërbim edhe përtej COVID19, 1269 thirrje janë vetëm për COVID19. Rreth 300 thirrje janë për kryerjen e tamponit. Shkohet në banesat dhe asistohet, monitorohet dhe vlerësohet nëse është rast për t’u dërguar në spital ose jo. Gjithashtu 0800 40 40 jep informacion mbi mjekun ne familjes dhe nëpërmjet saj mund të lidhen me mjekun e familjes”, tha Manastirliu.
Gjatë fjalës së saj, Manastirliu theksoi se spitali COVID-4 është gati dhe do të hapet pas plotësimit të kapaciteteve të 3 strukturave të dedikuara COVID dhe më tej do të vijohet me hapjen sipas 3 skenarëve të spitaleve rajonale, të cilët janë parapërgatitur për trajtimin e pacientëve me COVID-19 duke e çuar kapacitetin në mbi 1600 shtretër për trajtimin e pacientëve të prekur nga virusi./ Opinion.al