Në Gjykatën e Korçës është zhvilluar pasditen e sotme seanca për komunikimin e masave të sigurisë ndaj të ndaluarve për vrasjen e 14-vjeçarit Erald Xhejo në Maliq.
Togat e zeza kanë vendosur të lënë në burg pa afat, autorin e vrasjes Enedio Guri, babain e tij Edison Guri dhe xhaxhain e autorit të mitur, Roland Guri.
I mituri, është shprehur në sallën e gjyqit se nuk ka dashur të kryente krim, e se është penduar për veprimin e tij.
“Jam penduar, nuk kam dashur të kryej vrasje”, tha 14-vjeçari para togave të zeza.
Mësohet se disa ditë para se të ndodhte krimi, autori ka shkuar me një mjet në fshatin Zvirinë dhe para lokalit të xhaxhait të viktimës ka xhiruar gomat dhe është larguar.
Ditën e ngjarjes, më 14 gusht 2025, 14-vjeçari së bashku me një shok ka shkuar në fshatin Pirg për t’u qethur. Ata kanë parë autorin duke kaluar me makinë dhe i kanë fishkëllyer me qëllim për t’u sqaruar. Pasi ka dalë nga makina, ai ka nisur të debatojë, ndërkohë që ka nxjerrë thikën.
14-vjeçari, në këto kushte, ka marrë një karrige nga oborri i lokalit për t’u vetëmbrojtur, duke e vendosur përpara trupit, por teksa bënte hapa pas është penguar dhe autori, në atë moment, e ka goditur me thikë. E gjithë ngjarja është filmuar nga kamerat e sigurisë së lokalit.