Akademia e Shkencave dhe Arteve e Malit të Zi ka tërhequr nga shitja një fjalor të gjuhës malazeze pas krtikave se ka fjalë ‘diskriminuese dhe fyese’ për popullin shqiptar dhe boshnjak.
Fjalori ka dalë në treg në dhjetvjetorin e pavarësisë së Malit të Zi në muajin maj, ka shkaktuar reagime të ashpra nga disa parti shqiptare dhe boshnjake.
Sekretari i Departamentit të Shkencave Humane në Mal të Zi, Niko Martinoviq, tha për Shërbimin e Ballkanit të Radios Evropa e Lirë se: “tërheqja është mënyra e duhur për të tejkaluar një gjendje irrituese për të dyja palët”.
Përfaqësuesit e partive shqiptare kanë deklaruar se me shpjegimin e disa nocioneve në fjalor, shqiptarët janë paraqitur si agresorë dhe, për këtë arsye, ata kanë kërkuar tërheqjen e fjalorit.
Akademia malazeze ka marrë vendimin për tërheqje në prag të zgjedhjeve të përgjithshme në Mal të Zi, që do të mbahen më 16 Tetor.