Mali i Zi ashtu si Shqipëria synon që të mbajë një konferencë ndërqeveritare në fund të këtij muaji. Shefi i diplomacisë malazeze Ivanoviç i tha agjencisë MINA se nuk e sheh si konkurrente shteti fqinj.
“Shqipëria i ka intensifikuar reformat e saj të integrimit evropian. Ne jemi të kënaqur për këtë ecuri pozitive të shtetit fqinj në këtë rrugë. Nuk do të flisja për ndonjë konkurrencë për arsyen e thjeshtë se Shqipëria duhet të hapë edhe disa kapituj, ndërkohë që ne jemi në fazën e mbylljes së kapitujve së tyre”, tha Ministri i Jashtëm i Malit të Zi, Filip Ivanoviç.
I pyetur nëse beson se Mali i Zi dhe Shqipëria do të hyjnë në çift në BE apo veçmas, Ivanoviç tha se Mali i Zi mbështet parimin e meritës.
“Kjo nuk do të thotë që një vend që ka përparuar me kapitujt duhet të presë që një vend tjetër të arrijë atë nivel. Gjithashtu një vend që tani mund të jetë në një fazë të caktuar të negociatave duhet të inkurajohet të vazhdojë procesin e reformave e integrimit”, tha Ivanoviç.
Ivanoviç i tha agjencisë MINA se Mali i Zi është gati që të mbyllë deri në nëntë kapituj në fund të vitit. Ai beson se vendi i tij do të jetë në BE deri në vitin 2028. Klan News