Fronti Demokratik në Mal të Zi ka organizuar gjatë mbrëmjes një protestë kundër anëtarësimit të vendit në strukturat e NATO-s
Portali “Vijesti” i Malit të Zi ka raportuar se protestuesit kanë ndezur dhjetë pishtarë dhe kanë thirrur “Nuk e japim Kosovën” dhe “Kosova është zemra e Serbisë”. Në tubim ndërkaq nuk është parë askund flamuri i Malit të Zi, por është parë një pllakat me mbishkrimin “NATO është organizatë satanike”, transmeton Koha.net.
Një pjesë e të tubuarve kanë kënduar edhe “Himnin e heronjve të Kosovës”, këngë patriotike serbe.
“TV Vijesti” ka thënë se sipas organizatorit, në tubim kanë marrë pjesë rreth 5 mijë protestues, ndërsa vetë gazetari ka thënë se nuk kanë qenë mbi 1.500.
Organizatorët, veç banerit që e shpallnin NATO-n organizatë satanike, kanë thirrur edhe “Rusia, Rusia”, “Putin, Putin”…
Si pasojë e protestës, raportohet se janë shtuar forcat e sigurisë para Ambasadës Amerikane në Podgoricë, sikurse që edhe para Ambasadës së Shqipërisë që janë duke qëndruar së paku shtatë policë të armatosur.