Pandeli Majko është një tjetër politikan nga rradhët e Partisë Socialiste i cili ka reaguar për deklaratën e Metës për armatosje të popullit. Në një mesazh të gjatë publikuar në “Facebook”, ai i ka përcjellë Presidentit Meta, një mesazh të gjatë ku ngre shqetësimin e tij në lidhje me këto deklarata që ai i quan destabilizuese.
Statusi i plotë i Majkos:
SHENIM PER PRESIDENTIN…META
Thellësisht i shqetësuar për deklarimet dhe protagonizmin e njëanshëm të presidentit të zgjedhur, Ilir Meta. Akuzat dhe paralajmërimet destabilizuese që ai po hedh këto ditë nuk i shërbejnë Shqipërisë. Ato habisin të huajt, fyejnë vendin dhe degradojnë marrëdhëniet politike.
Si politikan i vjetër, ai duhet tja lërë pasionin e garës politike kolegëve që e zëvendësuan në Partinë e tij. Presidenti i zgjedhur, nuk i takon më pjesës por të tërës.
Akuzat apo paralajmërimet nga podiume partiake janë të papërshtashme në rastin më të mirë. Presidenti i zgjedhur duhet ti lërë mënjanë “bombat” për mosdekretim qeverish dhe armatosjen e popullit…
Si rregull, Presidenti shprehet për ato që ndodhin dhe jo për të kundërtën. Ai nuk është as gjykatës dhe as gjykatë. Qëndrimet e tij nuk janë gjykime emocionale por detyrime kushtetuese.
Kritikat e një presidenti të sapozgjedhur për kryeministrin e vendit të tij nuk lexohen së pari në mediat fqinje. Punët e shqiptarëve zgjidhen në shtëpinë e tyre ku Presidenti i Republikës është një figurë qëndrore. Ai përfaqëson unitetin kombëtar dhe jo marrëdhëniet me fqinjët.
Ajo që nisi si tur falenderimesh nga zoti Meta nuk ka pse kthehet në tur fyerjesh për ata që e zgjodhën. Presidenti i zgjedhur duhet të lërë LSI në fatin e vet politik dhe të përgatitet për “kujdestarinë” e Shqipërisë.
Uroj reflektimin të presidentit të zgjedhur. Gjakftohtësia është cilësi që nuk është e shkruajtur në Kushtetutë. Kjo nuk justifikon të kundërtën.