Presidenti i Venezuelës, Nicolas Maduro, është arrestuar nga autoritetet amerikane me qëllim gjykimi në Shtetet e Bashkuara, sipas një deklarate të bërë publike nga senatori republikan amerikan Mike Lee, i cili thotë se ka folur drejtpërdrejt me Sekretarin e Shtetit, Marco Rubio.
Në një postim në rrjetin X, senatori nga Utah shkruan se Rubio e ka informuar se arrestimi i Maduro është kryer nga personel amerikan dhe se veprimet ushtarake të ndërmarra gjatë natës kishin për qëllim mbrojtjen e forcave që po zbatonin urdhrin e arrestit.
“Ai më informoi se Nicolas Maduro është arrestuar nga personel amerikan për t’u gjykuar për akuza penale në Shtetet e Bashkuara dhe se veprimi që pamë sonte u përdor për të mbrojtur dhe siguruar ata që po ekzekutonin urdhrin e arrestimit,” shkroi Lee.
Senatori shtoi se ky veprim mund të justifikohet ligjërisht sipas nenit II të Kushtetutës së SHBA-së, i cili i jep presidentit autoritetin për të mbrojtur personelin amerikan nga një sulm aktual ose i afërt.
Megjithatë, më herët gjatë mëngjesit, vetë Mike Lee kishte shprehur rezerva dhe shqetësime lidhur me sulmet, duke shkruar: “Pres të mësoj se çfarë, nëse ka diçka, mund ta justifikojë këtë veprim, në mungesë të një shpalljeje lufte apo autorizimi për përdorimin e forcës ushtarake.”

















