Rajoni

Macron letër Thaçit: Të pezullohet taksa ndaj Serbisë dhe të ndalohet…


               Publikuar në : 11:26 - 15/02/20 |
Opi Nion

Në kuadër të 12 vjetorit të Pavarësisë së Republikës së Kosovës, presidenti i Francës, Emmanuel Macron, i ka shkruar letër kreut të shtetit, Hashim Thaçi, të cilin e ka uruar në emër të popullit francez.

Macron shprehet se pret nga Kosova që të pezullojë taksën 100% ndaj produkteve të Serbisë dhe nga Beogradi që të ndalë fushatën për çnjohjet. Sipas tij, këto dy veprime duhet të ndërmerren në mënyrë që të rinisë dialogu ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

“Siç edhe e kam përmendur më 12 nëntor të vitit të kaluar, gjatë Forumit të Paqes në Paris, ju mund të llogarisni në mbështetjen dhe gatishmërinë time për të mirëpritur, në Paris, një samit që bashkon liderët e Kosovës dhe të Serbisë, me kancelaren gjermane Angela Merkel dhe Përfaqësuesin e Lartë të Bashkimit Evropian për politikë të jashtme dhe siguri, Josp Borrell, për të lehtësuar rifillimin e dialogut. Për këtë priten veprime nga të dy palët: pezullimi nga Kosova i taksës 100% për produktet nga Serbia, Bosnja dhe Hercegovina; dhe pezullimi i fushatës për ‘çnjohje’ nga ana e Serbisë”, thuhet në letrën e urimit që Macron i ka dërguar presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi në prag të përvjetorit të 12 të pavarësisë së Kosovës.

Sipas presidentit Macron, pas rinisjes së dialogut, i takon Bashkimit Evropian që të lehtësojë bisedimet që Kosova dhe Serbia të arrijnë “një marrëveshje gjithëpërfshirëse, përfundimtare dhe të detyrueshme ligjërisht”.

Presidenti Macron po ashtu ka folur edhe për formimin e Qeverisë së re të Kosovës, e cila sipas tij, duhet të vazhdojë me zbatimin e reformave.

“Është e rëndësishme që Kosova të vazhdojë përpjekjet e saj për të zbatuar reformat e nevojshme të brendshme dhe që vendosmërisht të angazhohet në kërkimin e arritjes së një marrëveshjeje me Serbinë”, ka thënë Macron.

Dialogu ndërmjet Kosovës dhe Serbisë për normalizimin e marrëdhënieve ka nisur në vitin 2011. Por, bisedimet u ndërprenë në fund të vitit 2018, kur Qeveria e Kosovës vendosi taksën 100 për qind ndaj produkteve nga Serbia dhe Bosnjë e Hercegovina.

Qeveria e re e Kosovës, e udhëhequr nga Albin Kurti, ka thënë se taksën do ta zëvendësojë me masën e reciprocitetit. Por, vendosja e reciprocitetit nuk ka gjetur përkrahjen e Shteteve të Bashkuara. I dërguari i Shtëpisë së Bardhë për dialogun Kosovë-Serbi, ambasadori Richard Grenell, ka kërkuar nga Prishtina zyrtare, që ta heqë taksën, pa vendosur reciprocitetin.

Letra e plotë:

Me rastin e festës kombëtare të Republikës së Kosovës, jam i lumtur t’ju adresoj, në emrin tim dhe në emër të popullit francez, urimet e mia të sinqerta.

Që prej vitit 2008, dy vendet tona kanë ndërtuar një marrëdhënie miqësie mirëbesimi. Franca qëndron përkrah Kosovës për t’a ndihmuar në tejkalimin e sfidave me të cilat përballet ajo sot, veçanërisht në konsolidimin e shteti të së drejtës, zhvillimin ekonomik dhe shoqëror, në kuadër të strategjisë franceze për Ballkanin Perëndimor të cilin e kam miratuar pranverën e kaluar. Agjencia Franceze e Zhvillimit planifikon të fillojë punën në Kosovë këtë vit. Bashkëpunimi ynë dypalësh mbështet gjithashtu agjendën evropiane të reformës në vend.

Dëshiroj poashtu të përshëndes zhvillimin e qetë të zgjedhjeve legjislative të datës 6 tetor si dhe formimin, tash së voni, të qeverisë së re të Kosovës. Është e rëndësishme që Kosova të vazhdojë përpjekjet e saj për të zbatuar reformat e nevojshme të brendshme dhe që vendosmërisht të angazhohet në kërkimin e arritjes së një marrëveshje me Serbinë.

Siç edhe e kam cekur më 12 nëntor të vitit të kaluar, gjatë Forumit të Paqes në Paris, ju mund të llogarisni në mbështetjen dhe gatishmërinë time për të mirëpritur, në Paris, një samit që bashkon liderët e Kosovës dhe të Serbisë, me Kancelaren gjermane Angela Merkel dhe Përfaqësuesin e Lartë të Bashkimit Evropian për politikë të jashtme dhe siguri, Josp Borrell, për të lehtësuar rifillimin e dialogut. Për këtë priten veprime nga të dy palët: pezullimi nga Kosova i taksës 100% për produktet nga Serbia, Bosnja dhe Hercegovina; dhe pezullimi i fushatës për “ç’njohje” nga ana e Serbisë. Pasi rifillimit të dialogut, është radha e ndërmjetësimit të Bashkimit Evropian, me mbështetjen e Francës, të lehtësojë bisedimet midis dy palëve me synimin e arritjes së një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse, përfundimtare dhe të detyrueshme ligjërisht.

Duke përtërirë urimet e mia të ngrohta, ju lus të pranoni, z.President, shprehjen e konsideratës sime më të lartë./ Opinion.al

Pas