Aktualitet

Macron: Kundër hapjes së negociatave me Shqipërinë ishin gjysma e vendeve


               Publikuar në : 18:50 - 07/11/19 |
Al Do

Presidenti francez, Emanuel Macron ka deklaruar se “kundër hapjes së negociatave me Shqipërinë ishin pothuajse gjysma e vendeve të Këshillit Europian”.

Në një intervistë për revistën prestigjioze “The Economist”, Macron u pyet në lidhje me votën “JO” të Francës dhe nëse këtë po e përdorin vende të tjera për tu fshehur.

“Nuk mendoj, e di me siguri që fshihen pas Francës. Po t’i pyesni nesër nëse duan t’ia hapin derën Shqipërisë, gjysma do të thonë JO. Donin të hapnin negociatat me Maqedoninë e Veriut, por nëse nuk i thonim PO edhe Shqipërisë do të shkaktonim një traumë të madhe në rajon. Ka komunitete që flasin shqip kudo. Nëse do të poshtëronim Shqipërinë, do të destabilizonim rajonin për një kohë të gjatë. Prandaj, bindja ime është që ne duhet të reformojmë procesin e pranimit përpara se të pranojmë anëtarë të rinj”, tha Presidenti i Francës.

Sa i përket rrezikut rus dhe kinez në Ballkanin Perëndimor kjo nuk e ka bindur Macronin, i cili thekson se “Rusia dhe Kina po ndikojnë dhe tek vendet që i kanë hapur negociatat”.

Në intervistën e tij shefi i Elizesë ka bërë kritika të ashpra edhe ndaj NATO të cilën e cilësoi se “ndodhet para “vdekjes”, ndërsa paralajmëroi në mënyrë të qartë vendet anëtare se nuk mund të mbështeten më në mbrojtjen e SHBA-së”.

Macron thekson se forcat e NATO-s po zvogëlohen për shkak se SHBA u ka kthyer shpinën aleatëve të saj. Presidenti i Francës theksoi më tej se tani është koha që Evropa të mendojë në mënyrë strategjike për veten e saj, si një forcë e pavarur gjeopolitike. /Opinion.al

Pas