Bota

Macron: Franca lufton separatizmin islamik, jo Islamin


Bëhu pjesë e Grupit Zyrtar të Opinion.al
>> KËTU <<
               Publikuar në : 11:12 - 05/11/20 |
Opi Nion

Presidenti i Francës, Emmanuel Macron ka thënë se vendi i tij po lufton “separatizmin islamik, kurrë Islamin”.

“Franca po lufton kundër urrejtjes dhe vdekjes që kërcënon fëmijët e saj, kurrë kundër Islamit. Ne kundërshtojmë mashtrimin, fanatizmin, ekstremizmin e dhunshëm. Jo fenë”, ka thënë Macron.

Macron i bëri komentet duke iu përgjigjur një artikulli të Financial Times, për të cilin ai pretendoi se e citoi gabimisht. Artikulli është hequr nga faqja e internetit e gazetës.

Në një letër për redaktorin e gazetës, e cila është botuar të mërkurën, Macron tha se gazeta britanike e kishte akuzuar atë për “stigmatizimin e myslimanëve francezë për qëllime elektorale dhe për nxitjen e një klime frike dhe dyshimi ndaj tyre”.

“Unë nuk do të lejoj askënd të pretendojë se Franca, ose qeveria e saj, po nxit racizëm kundër myslimanëve”, tha ai.

Në një artikull i shkruar nga një korrespondent i Financial Times, botuar të martën, pretendohej se deklarata e Macronit ndaj “separatizmit islamik” rrezikonte të nxisë një “mjedis armiqësor” për myslimanët francezë.

Artikulli më vonë u hoq nga faqja e internetit e gazetës, dhe u zëvendësua me një njoftim që thoshte se ai kishte “gabime faktike”, raporton AFP.

Muajin e kaluar, në Francë, një mësues i historisë u vra në mënyrë mizore, pasi ai e kishte ilustruar një ligjeratë për shprehjen e lirë, me karikaturën e profetit Muhamed.

Një 18-vjeçar me origjinë nga Çeçenia, i lindur në Moskë, është përgjegjës për vrasjen.

Sulmuesi ia kishte prerë kokën mësuesit. Pas sulmit, ai është qëlluar për vdekje nga policia.

Prokurori kundër-terrorizmit, Jean-Francois Ricard dha këtë njoftim, një ditë pas incidentit, të cilin, presidenti i Francës, Emmanuel Macron e quajti “sulm terrorist islamik”. Islami ndalon përshkrimet e Muhamedit.

Presidenti i Francës Macron është zotuar se Franca nuk do të heqë dorë nga “vlerat” dhe gjithashtu u bëri thirrje njerëzve të të gjitha feve të mos “dorëzohen në frymën e përçarjes”.

Javën e kaluar, një burrë tjetër vrau tre persona në një kishë të Nicës, në atë që presidenti francez Emmanuel Macron e përshkroi si “një sulm terrorist, islamik”.

Pas protestave dhe bojkotit të mallrave franceze në të gjithë botën, Macron i tha rrjetit Al-Jazeera gjatë fundjavës se ai e kuptonte që karikaturat mund të ishin tronditëse për disa./ REL

Pas