“Kriza duhet të zgjidhet dhe do të zgjidhet me parime, dhe jo me pazare. Kjo krizë do të zgjidhet duke i dhënë fund pandëshkueshmërisë. Ata që e kanë sjellë vendin në këtë vend, ata që sollën krimin në politikë, ata që u korruptuan, nuk do të dalin nga kriza si shpëtimtarë, por si përgjegjës. Vetëm kjo e shpëton të ardhmen evropiane të Shqipërisë: Nxjerrja e politikanëve të lidhur me krimin para drejtësisë së pavarur. Vetëm drejtësia përmes ligjit”.
Kështu deklaroi kreu i PD-së, Lulzim Basha nga protesta e opozitës. Sipas tij protestat e opozitës po sjellin ndryshimin e madh. Basha tha se shqiptarët janë të etur, jo për ndryshim të përkohshëm e ndryshim fals, por ndryshim të vërtetë.
“Një ndryshim që do të na fusë në rrugën e sigurt drejt Bashkimit Europian dhe vlerave perendimore”, theksoi Basha.
“Dua ta deklaroj para gjithë botës: Derisa të dalin para drejtësisë, ata që vodhën votat e shqiptarëve, bashkë me krimin, nuk do të ketë zgjidhje politike. Ne do të bëjmë çdo përpjekje Do të përdorim çdo mjet për t’i nxjerrë ata para drejtësisë”, theksoi më tej Basha. / Opinion.al