Nga Ballsor Hoxha
Sigurisht, autori Albatros Rexhaj, sa ka qenë i suksesshëm në publikun dhe lexuesit shqiptarë, po aq ka qenë edhe njeriu më i urryer, më i fyer dhe më i nënçmuar. Dhe po ky autor arrin t’i bashkojë shqiptarët në Kosovë dhe Shqipëri pikërisht në të dyja këto gjëra, në dashurinë ndaj tij, sa dhe në urrejtjen ndaj tij. E kam thënë më parë se dashuria ndaj tij nuk mund të jetë e budallenjve përderisa librat e tij janë imagjinatë, dhe shtysa që duhet për t’i lexuar kërkon besim.
Dhe se pikërisht besimi i krijuar te lexuesi përbën një aftësi specifike që asnjë prej shkrimtarëve të gjeneratës sonë të shkrimtarëve nuk e ka arritur më mirë se Rexhaj. Ndërsa, sa i përket urryesve të Rexhajt, po ashtu e kam thënë më herët, suksesi i Rexhajt nxit shpërfaqjen e megalomanisë së tyre, besimit të të qenit shumë më të mëdhenj në çmendurinë e tyre, por jo në realitet, krahasuar me Albatros Rexhajn.
Aq rëndë i fyer, Albatrosi jo që nuk i është dorëzuar kësaj çmendurie, por ka bërë të kundërtën, gjë e rrallë kjo ndër shqiptarë: ai ka shkruar një libër më të arrirë se ata të mëparshmit. Ka shkruar Rebelimi i Lúlus
Por, para se të hyjmë në shtjellimin e këtij libri të ri të Rexhajt, do të përkujtoj një poezi të tij interesante me vargjet përfundimtare të saj që janë:
…Dhe veç për hatër të qenit tim/Nuk mund të mendoj keq për ata që hiqen si njerëz/Edhe pse fort mirë e dinë se në të/Vërtetë janë vetëm shtazë.
Libri Rebelimi i Lúlus, siç edhe thuhet në mënyrë eksplicite në tekst. është një lloj dikotomie/kundërshtie identike e shqiptarit dhe këtij emri Lúlu. Derisa ky emër nënkupton diçka fisnike, ai në të njëjtën kohë ka edhe kuptimin e “lolos”. Ka një dilemë universale brenda këtij emri, në të vërtetë është fjala për dramën e përjetshme të njeriut në mes të të qenit lolo dhe fisnik. Dhe Albatos Rexhaj si autor i këtij libri merr përsipër t’i japi forcë këtij “lolo”-je, këtij shqiptari të nënshtruar në një apati të pafund, për të gjetur rrugën e tij të vetme të shpëtimit, rrugën e gjetjes së forcës brenda vetes, por vetëm duke u përballur me atë që është sot dhe këtu, ndër ne shqiptarët.
Dhe Albatros Rexhaj si autor, si narrator dhe si personi imagjinar i vetes, megjithëse jo krejt në mënyrë eksplicite, zgjedh performatorizmin që të tekstualizojë këtë dramë universale të njeriut brenda një libri të shkëlqyeshëm.
Pa dashur të shes mend dhe të torturoj lexuesin me teori dhe terminologji, është një lloj arti i cili po e pushton botën në bashkëkohësinë tonë, dhe ai është arti i quajtur performatizëm. Performatizmi nënkupton përfshirjen e artistit/autorit në veprën e tij pa e dalluar jetën reale personale nga arti i tij/saj/ Po të njëjtën gjë, megjithëse në një distancim estetik nga detajet, ka bërë edhe Albatros Rexhaj në librin e tij “Rebelimi i Lúlus”.
“Lúlu” është një bashkëbisedim i autorit, thuajse në tërësi identik me Albatros Rexhajn, me unin e tij imagjinar të quajtur Lúlu. Është një teknikë krejtësisht e re në letërsinë shqipe dhe në romanin e Rexhajt del tërësisht efikase. Qysh në tekstin e parë autori/narratori/performuesi arrin një intimitet të thellë me lexuesin, duke e bërë të besueshëm dhe të pranueshëm për të gjithë një bashkëbisedim të këtij lloji.
Në të vërtetë performatizmi dhe doza tejet intime e bashkëbisedimit, të kombinuara së bashku, janë një moment i ri në letërsinë shqipe. Sigurisht megalomanët e shumtë autorialë shqiptarë, armiq të deklaruar publikë të autorit Rexhaj nuk do të pajtohen me këtë, pikërisht për shkak të të qenit shumë më të “mëdhenj” sesa Rexhaj, por vetëm në megalomaninë e tyre e jo edhe në realitet, por ndërkaq ky moment hapjeje thuajse totale (jo i huaj edhe për veprën e mëparshme të Rexhajt) është diçka që jo vetëm nuk ka ndodhur më parë në letërsinë shqipe, por edhe përbën pra, ankthin më të madh ndër autorët shqiptarë. Sigurisht nuk kam harruar Ag Apollonin që bën një hapje rrënjësore të jetës së tij personale me vetëdije të plotë në teknikën e performatizmit në romanin e tij Ulurima e Ujkut, por aty hapja është më shumë teknikë dhe narracion (assesi i parë si dobësi), ndërkohë që tek Rexhaj ky performatizëm ndodh përmes një hapjeje thuajse naive dhe përmban një përunjësi personale para botës, lexuesit dhe të vërtetës brendapërbrenda veprës së tij.
Duke u nisur nga kjo përunjësi e narratorit para botës, lexuesit dhe të vërtetës/realitetit, ndarja ndërmjet tij dhe Lúlus, të cilit i drejtohet i tërë teksti në këtë libër, lartësohet në një dimension shpirtëror. Dhe pikërisht shpirtërorja, dimensioni i shtjellimeve artistike të Rexhajt, që është specialiteti i tij, bëhet sa e sa herë gjatë librit pikënisje për udhëtimet, udhëzimet dhe rebelimet e narratorit. Në të vërtetë kjo ëhtë vetëm pikënisja për në ecejaken e pafund nëpër universin e brendshëm dhe të jashtëm shqiptar.
Hapja e këtyre rebelimeve/shtjellimeve dhe udhëzimeve të narratorit bëhet me pranimin e tij se shpeshherë në jetë është izoluar nga të tjerët si delja e zezë e shoqërisë sonë. Për një numër të konsiderueshëm të pseudo-intelektualëve që merren me Rexhajn (posaçërisht në Kosovë) ai ka shërbyer si thes boksi ku ata shfryjnë frustrimet e tyre prej askushi. Dhe pikërisht në këtë skemë të dhunshme Rexhaj fillon udhëtimin, apo siç do të shprehet në njërin nga shkrimet brenda librit, pra do të fillojë “ecejaket” e tij.
Libri ka dy pasqyra, ndërsa njëra është pasqyrë shpirtërore me tekste koncize dhe thurje poetike kryesisht, tjetra është përballje, rebelim, revoltim dhe çmontim i purgatorit të universit shqiptar. Njëra është thurje poetike e rebelimit dhe konstatimit dhe tjetra është tekst/trajtim intelektual dhe shumë më tepër njerëzor dhe i një qytetari të brengosur të universit shqiptar (megjithëse teksti i librit i referohet në masë të madhe universit të Shqipërisë, unë nuk do ta ndaja atë as nga Kosova apo nga ndonjë prej territoreve të tjera me banorë shqiptarë).
Në pjesën, pasqyrën shpirtërore ku thuret rebelimi më i butë i gjendshëm, me një fisnikëri të natyrshme dalin në pah kryesisht tri perspektiva:
1. Njëra prej tyre shfaqet në këto tri tekste të titulluara: në ditën e hënë, 3 gusht; e martë, 4 gusht, mesditë; nata mes së martës dhe së mërkures. Dy tekste prej tyre përmbajnë një dëshirë të narratorit që të zhduket nga kjo botë, gjegjësisht në njërën syresh dëshiron të bëhet një statujë prej guri për të mundur të vëzhgojë njerëzimin në punët e tij dhe në tjetrën dallohet dëshira për t’u zhdukur nga kjo botë. Kjo ndjenjë aq më shumë forcohet në tekstin e tretë ku tregohet metafora e shijes së hidhur që ndjen në buzë e foshnja në kontaktin e parë me qumështin e nënës. Të tri këto përbëjnë njërën prej perspektivave të narratorit që e ushqejnë dhe motivojnë luftën e tij për dashurinë (megjithëse të hidhur në kontaktin e parë), si dhe për dashurinë si motorin e vetëm lëvizës të një bote të pranueshme.
2. Perspektiva tjetër në këto tekste të shkurta që i cilësova si thurje poetike, apo që ndoshta më saktësisht do të mund të quheshin bërthama të dialogut të narratorit me Lúlunë, janë pikërisht momentet e deklarimit, strategjizimit dhe përjetësisë së luftës për një jetë më të mirë, pikërisht ndaj njerëzve të helmuar nga zbrazëtia/mungesa e dashurisë në shpirtrat e tyre. Teksti që duhet veçuar në këtë perspektivë të dytë është ai ku narratori deklaron filozofinë e tij të luftës ndaj së keqes: për të gjithë ata që më lëndojnë ndjej keqardhje. Kjo ndjesi është ngadhënjimi im.
3. Perspektiva tjetër në këto thurje poetike dhe rebelime dhe përmbledhje të rebelimit ndaj botës drejtuar Lúlusë është pikërisht debatimi dhe trajtimi i realitetit shqiptar dhe universit shqiptar.
Sa i përket pjesës tjetër të romanit aty ku narratori (Rexhaj) përvishet dhe fillon debatimin me tërë shoqërinë shqiptare do të duhej të kishim një përqasje si ndaj ferrit të Dantes. Jo për të njëjtin qëllim metaforik, por për arsye se Rexhaj në performatorizmin e tij, si pjesëtar i kësaj shoqërie, dhe si një prej kalimtarëve dhe banorëve të të gjitha shtresave të këtij ferri tonë, duke çmontuar problemet tona has në këtë botë dhe realitet tonin të krijuar si një hierarki dhe rreth vicioz.
Rexhaj e fillon çmontimin e kësaj hierarkie duke identifikuar dhe duke bërë autopsinë e trupit kolektiv të shoqërisë sonë dhe duke ndjerë deri në palcë zbrazëtinë, helmin, pandjesinë, turpin nga dashuria, mungesën e guximit për të thënë më të thjeshtën dhe më të zakonshmen ndaj më të dashurit/dashurës sonë gjë për të cilën Rexhaj vjen në përfundim se është fillesa e çdo gjëje, gjë për të cilën Rexhaj si personazh performativ del në përfundimin se nëse kjo ndodh, atëherë rrjedhimisht mungon guximi edhe për çdo gjë tjetër.
Shkalla tjetër e ferrit shqiptar përmes udhëtimeve dhe ecejakeve të Rexhajt si performator i këtij teksti, kamufluar në petkun e narratorit, është hasja dhe zbulimi i elitës. Elita (në të cilën do të duhej të bëja pjesë edhe unë si analist, pak ironi pra) shqiptare përbëhet nga njerëzit e pushtetshëm, si në politikë, në komercializëm, në publik, në media dhe në modelimin e shoqërisë shqiptare. Kjo elitë krijon shkëputjen nga e zakonshmja dhe qytetari i thjeshtë dhe duke pasur pushtetin ia asgjëson çfarëdo force qytetarit. Pikërisht kjo krijon apatinë kolektive brenda thonjëzave të së cilës qytetari rri i ngujuar me “vetëdëshirë” në këtë ferr.
Pastaj vjen politika, kasta politikëbërëse, opozita, dhe modelimi i tërë kësaj që po ndodh nga e kaluara. Në të vërtetë për Rexhajn ndoshta e kaluara politike ka qenë më e lehtë deri kur prindërit e gjeneratës sonë kanë pasur një armik dhe e kanë ruajtur të gjallë idealin për çlirim.
Përballja e Rexhajt si performator në këtë purgator është shumë e dhimbshme. Ajo herë-herë arrin doza të larta të frustrimit, rebelimit, revoltës dhe kushtrimit për një kryengritje.
Duhet theksuar se tërë insistimi i autorit të këtij shkrimi lidhur me performatorizmin e Albatros Rexhajt në këtë libër është për shkak të fuqisë së përballjes së Rexhajt me të gjithë këta rrathë purgatori nga pozita e njeriut i cili i ka dalë në anën tjetër të ferrit dhe tanimë është “elitë”. Rexhaj tanimë e ka suksesin, pushtetin dhe famën, gjë të cilën e kanë për synim të gjithë të ngujuarit brenda këtij purgatori, dhe ai pikërisht vendos ta luftoj këtë fenomen nga kjo pozitë e arrirë.
Pjesa e fundit, që tingëllon herë romantike dhe në raste të tjera revolucionare, megjithatë ruan dozën e racionales dhe shpërfaqet si një kushtrim për njeriun, për qytetarin dhe për popullin që të gjejë atë që i mungon, të gjejë një hero të vërtetë:
E diel, 8 gusht
Sa herë i kemi thënë vetes se do të hapim një faqe të re, por pak gjë ka ndryshuar.
A e di pse?
Është e kotë të hapësh një faqe të re në fletët e të njëjtit libër.
Ka ardhur koha për një hero nga një libër krejtësisht i ri, një hero të vërtetë nga libri i dashurisë.
Gjithmonë njeriu ka pasur një pyetje, një dilemë dhe një mundim torturues. Dhe sa më i suksesshëm njeriu aq më të mëdha këto, dhe sa më i madh njeriu, i madh në kuptimin e madhësisë së përballjes pavarësisht suksesit material etj. Gjithmonë është shtëpia ku duhet të kthehet, qoftë edhe Ikari, qoftë edhe Prometeu që ëndërron teksa është i lidhur me vargonj etj. Dhe pikërisht në performatorizmin e Rexhajt del një prej teksteve poetike dhe asaj që e quajtëm pasqyrë shpirtërore:
Nata në mes të premtes dhe së shtunës
(Lúlu)
Edhe sot, si shumë herë të tjera përgjatë këtyre viteve, në fund të ecejakeve të mia do të marr rrugën për në shtëpi…Asnjëherë më parë nuk e kam vrarë mendjen kaq shumë se ku është në të vërtetë shtëpia ime?…nuk është se nuk kam përgjigje për këtë pyetje, por thjesht atë e kaloj në heshtje. Dhe kjo vetëm sa i ndërlikon gjërat edhe më shumë.