Bota

Lufta në Ukrainë, jeta për banorët e Donbasit



Bëhu pjesë e Grupit Zyrtar të Opinion.al
>> KËTU <<
               Publikuar në : 21:52 - 24/01/23 |
Opi Nion

Ndërsa bombat vazhdojnë të bien në rajonin lindor të Donbasit në Ukrainë, disa banorë mbeten në qytetet pothuajse të boshatisura përreth, duke rregulluar ndërtesat e bombarduara dhe duke shpresuar se lufta do të marrë fund.

Korrespondentja e Zërit të Amerikës, Heather Murdock, njofton nga qytetet Bakhmut dhe Chasiv Yar në rajonin Donbas të Ukrainës.

Shumë qytete dhe qyteza në rajonin Donbas të Ukrainës Lindore duken pothuajse të boshatisura, ky mbizotërojnë gjëmimet e vazhdueshme të bombave që bien brenda dhe jashtë zonës.

Në qytetin Bakhmut, vendi i luftimeve të ashpra për gjashtë muaj në luftën e Rusisë në Ukrainë, vendasit thonë se nuk e dinë se çfarë po ndodh sepse janë kryesisht të shkëputur nga lajmet dhe informacionet e jashtme.

“Nuk kemi ku të shkojmë, kështu që qëndrojmë këtu në bunker. Mund të vish këtu dhe të flasësh me njerëz. Është e frikshme të dalësh jashtë. Askush nuk ecën në rrugë për shkak të bombardimeve”, thotë për Zërin e Amerikës Lyudmyla Malynovska, banore në Bakhmut.

Disa banorë që mbeten në qytete dhe qyteza të tjera në Donbas përpiqen t’i mbajnë shtëpitë e tyre të paprekura, pavarësisht bombardimeve të shpeshta, me shpresën se njerëzit do të kthehen kur dhuna të qetësohet.

Në Chasiv Yar, rreth 10 kilometra larg vijës së frontit, banorët thonë se vetëm një vit më parë qyteti i tyre kishte gjallëri, me bukuri natyrore dhe industri.

“Ishte një bombë thërrmuese që ra këtu, dhe vala goditëse shkoi atje dhe e shkatërroi atë ndërtesë. Më pas, mbeturinat ranë në shtëpi. E shihni, i gjithë muri është i mbuluar me vrima nga copëzat” thotë Alexander Pavlovitch për Zërin e Amerikës.

Tregjet në Chasiv Yar janë kryesisht të mbyllura tani. Shitësit që mbeten në qytet thonë se bombardimet e vazhdueshme e bëjnë shumë të rrezikshme punën jashtë. Të tjerë thonë se qëndrimi në qytet dhe mbajtja hapur e biznesit është një akt patriotizmi.

“Unë jam një patriot i Ukrainës. Ukraina është atdheu im. Është toka ime. Kjo luftë vetëm më bëri më të fortë në vendosmërinë time. Dhe Rusia është një vend terrorist”, i tha Zërit të Amerikës Serhi Zamulenko, banor i qytetit.

Disa nga fqinjët nuk e pëqejnë besnikërinë e tij, thotë Serhi Zamulenko, në një rajon me lidhje familjare dhe kulturore me Rusinë dhe Ukrainën.

Rajoni i Donbasit ka qenë në luftë që nga viti 2014, shumë kohë përpara se të fillonte agresioni rus në shkallë të gjerë, pothuajse një vit më parë. Por niveli aktual i dhunës është i paprecedentë dhe i përhapur në të gjithë vendin.

Kombet e Bashkuara thonë se gjatë 11 muajve të fundit më shumë se 7,000 civilë janë vrarë në Ukrainë./ VOA

Pas