Valentina MADANI
Ish-themeluesit e PD-së përcjellin me shqetësim situatën e rëndë në Partinë Demokratike pas humbjes së thellë të 25 qershorit, duke apeluar që t’u jepet fund sulmeve dhe urrejtjes së pakuptimtë ndaj njëri-tjetrit. “Gazeta Shqiptare” sjell në këtë forum tre zëra të fortë të së djathtës, ish-themelues, ish-deputetë të PD-së, por edhe shkrimtarë shumënjohur, Bardhyl Londo, Lazër Stani dhe Parid Teferiçi. Ata bëjnë thirrje për daljen nga llogorja e urrejtjes ndaj njëri-tjetrit dhe të bashkojnë energjitë për ringritjen e PD-së dhe rikthimin sa më të shpejtë të saj në pushtet.
Stani, zgjedhjet e 25 qershorit nxorën fituese PS-në, ndërsa PD-ja është humbësja e këtyre zgjedhjeve. Cilët mendoni se ishin faktorët që sollën një humbje kaq tronditëse të Partisë Demokratike?
Mendoj se fitorja e zgjedhjeve nga një parti e vetme, marrja e “timonit dhe tepsisë” nga një njeri i vetëm, nuk është një lajm i mirë për Shqipërinë dhe shqiptarët. Gjatë këtyre ditëve e kam kujtuar shumë herë thënien e shkrimtarit Eduardo Galeano se “Historia në të vërtetë nuk thotë kurrë ‘Lamtumirë’. Historia thotë ‘Shihemi më vonë’”. Ne tani, si në të shkuarën tonë të hidhur, kemi në pushtet një parti dhe një njeri që i ka në dorë të gjitha fijet e pushtetit. Kjo situatë e shton seriozisht rrezikun e autoritarizmit, aq më tepër që në Shqipëri institucionet janë tepër të brishta e lehtësisht të kontrollueshme, ndërsa opinioni publik përgjithësisht i manipuluar. Përballë këtij rreziku, e vetmja garanci është opozita e fortë, e aftë të kontrollojë dhe frenojë qeverisjen në aventurat e saj, duke qenë njëkohësisht një opozitë bindëse për qytetarët, alternativë e besueshme, projekt politik konkurrues, ambicioz, i sigurt në të ardhmen e vet. Opozita është shëndeti i një demokracie. Me një opozitë të ligur, sigurisht do të kemi një demokraci shëndetligë. Për fat të keq, rezultati dramatik në zgjedhje, ka sjellë një krizë të thellë në partinë më të madhe opozitare, Partinë Demokratike. Menjëherë pas shpalljes së rezultatit të zgjedhjeve, politikanë dhe ish-politikanë të PD-së dhe segmente të caktuara të kësaj partie, nxituan për të gjetur fajtorin e kësaj humbjeje dhe për ta kryqëzuar atë. Një revansh barbar, primitiv, i pamëshirshëm, që më ka kujtuar turmat e ekstremistëve, që gjejnë një grua të pambrojtur dhe e qëllojnë nga të gjitha anët me gurë, duke e akuzuar atë si mëkataren, pavarësisht se vetë mund të jenë njëqind herë më shumë mëkatarë. Unë personalisht nuk e kam takuar kurrë Lulzim Bashën, përveçse ndonjë ceremonie zyrtare, nuk kemi pirë kurrë bashkë një kafe, por si njeri dhe si shkrimtar, nuk mund ta pranoj një sjellje të tillë çnjerëzore, një barbari të tillë, një primitivizëm të tillë, që në thelb nuk frymëzohet nga ideale dhe parime, po nga smira, pakënaqësi, mllefe, interesa të pista, ego personale, shpirtvogëlsi dhe vese të tjera tipike shqiptare. Pa dyshim, Lulzim Basha, si kryetar i PD-së, ka përgjegjësi për rezultatin e zgjedhjeve, por përgjegjësia nuk është vetëm e tija. Unë jam skandalizuar kur politikanë të lartë të PD-së, figura qendrore të kësaj partie, kërkuan dorëheqjen e kryetarit të partisë në mesin e fushatës zgjedhore dhe gjatë gjithë fushatës nuk punuan as një ditë të vetme për fitoren e Partisë Demokratike. Agresiviteti i tyre patologjik ndaj Lulzim Bashës në momentin më të vështirë të PD-së, tregon se ata mezi ç’kanë pritur që PD-ja të humbë zgjedhjet. Ky nuk është moral politik dhe as moral njerëzor! Njerëz të tillë nuk mund ta ringrenë PD-në, nuk mund ta rikthejnë atë në parti të vlerave, në parti të së ardhmes së shqiptarëve, në parti fituese. Nuk duhet harruar kurrë se Partia Demokratike u themelua si një parti e elitës së shoqërisë shqiptare, nga studentët dhe intelektualët, dhe se në rrugën e saj drejt fitores së parë të madhe pati mbështetjen e pothuajse gjithë inteligjencës shqiptare, shkrimtarë, artistë, profesorë, doktorë, akademikë, inxhinierë dhe profesionistë të tjerë, që nuk ishin ndotur gjithaq nga diktatura dhe të gjithë e kishin vuajtur mungesën e tmerrshme të lirisë. Në diskursin e 27 viteve, Partia Demokratike ka pasur ulje-ngritjet e saj dhe, sigurisht, edhe kontributin e saj të pazëvendësueshëm në çdo arritje të rëndësishme të Shqipërisë në këto vite. Pikërisht për këtë PD-ja është një aset i çmuar kombëtar, që me çdo kusht duhet ringritur fuqishëm.
Kundërshtarët e akuzojnë Lulzim Bashën se me “Republikën e Re” nxori nga skena PD-në dhe se marrëveshja me Ramën ishte fatale. Ju si mendoni?
As njëra, as tjetra. Mendoj se “Republika e Re” e propozuar nga z. Basha ishte projekti më i mirë politik që u është ofruar ndonjëherë shqiptarëve në këto vite. Kam lexuar para disa vitesh programin politik të CDU-së dhe gjithmonë kam menduar se një program i tillë i përshtatur për Shqipërinë, do të ishte zgjidhja më e mirë për ndërtimin e një të ardhmeje të sigurt për një Shqipëri ekonomikisht, kulturalisht dhe shoqërisht të zhvilluar, moderne dhe perëndimore, ku qytetarët jetojnë të lirë dhe në mirëqenie, gëzojnë të drejta dhe marrin përgjegjësi, kanë mundësi të zhvillojnë potencialet e tyre njerëzore dhe krijuese. Projekti i “Republikës së Re” i hartuar dhe i konsultuar edhe me ekspertët gjermanë të CDU-së dhe fondacionit “Konrad Adenauer”, pikërisht atë frymë kishte, atë përmbajtje në tërësinë e vet. Për fat të keq, kjo nuk u arrit të perceptohej masivisht nga votuesit e djathtë dhe shqiptarët, qoftë për shkak të kohës së shkurtër, qoftë edhe për keqinterpretimet që iu bënë nga kundërshtarët dhe rivalët politikë të zotit Basha, që e interpretuan këtë projekt thjesht si një strategji për të eliminuar rivalët e vet politikë brenda partisë, dhe trashëgiminë historike të PD-së, çka unë mendoj se nuk qëndron. “Republika e Re” mbetet një projekt politik ambicioz, pavarësisht se nuk u votua kësaj here, që një ditë, kur të legjitimohet me votën e shqiptarëve, do të jetë garanci për një Shqipëri të zhvilluar, moderne dhe europiane. PD-ja nuk mund të heqë dorë nga ky projekt, që në fund të fundit ka kumbuar në zemrat e shqiptarëve që në ditën e themelimit të Partisë Demokratike. Nga ana tjetër, marrëveshjen politike të arritur midis zotit Basha dhe kryeministrit Rama, që garantoi pjesëmarrjen e PD-në në zgjedhje, e quaj normale. Partia Socialiste është parti shqiptare si edhe Partia Demokratike. Dialogu politik, bashkëpunimi për çështje të mëdha me interes kombëtar dhe marrëveshjet në një shoqëri demokratike janë normale, madje të domosdoshme. Edhe kjo marrëveshje politike u keqinterpretua, nga rivalët politikë të PD-së dhe kundërshtarët e z. Basha brenda PD-së, duke e paraqitur atë si një marrëveshje bashkëqeverisjeje, çka përcolli një mesazh shumë të gabuar te publiku dhe që krijoi kosto elektorale për PD-në, por jo për faj të zotit Basha. Basha edhe në këtë rast mendoi e veproi si një politikan i mirëfilltë perëndimor.
PD është përfshirë nga një krizë e thellë pas humbjes së zgjedhjeve. Cila mendoni se është rruga për nxjerrjen e PD-së nga kjo krizë dhe ringritjen e saj?
Është një moment i vështirë, por mendoj se PD do t’ia dalë me sukses të ringrihet fuqishëm, duke rikthyer shpresën te votuesit e djathtë dhe te shqiptarët. Ka vetëm një rrugë për ta ringritur PD-në: shndërrimin e saj në një institucion të fuqishëm demokratik, që garanton sa më shumë pjesëmarrje dhe ku secili anëtar ndihet pjesëmarrës dhe kontribuues. Mendoj se një proces zgjedhor i lirë, i drejtë dhe i rregullt, në përputhje me statutin mbi të cilin funksionon kjo parti, do të legjitimojë lidershipin që duhet ta mbështesin të gjithë demokratët. Le të konkurrojnë disa projekte politike brenda PD-së, por mendoj se secili pastaj duhet të mbështetë e të punojë për projektin politik fitues, atë që ka mbështetjen më të madhe nga anëtarësia e Partisë Demokratike. Diversiteti dhe mendimi ndryshe është pasuri për një parti politike, jo arsye për konflikt dhe përçarje. Nga ana tjetër mendoj se PD-në nuk e ringrenë fushatat negative që anatemojnë individë të veçantë dhe që këto ditë, për fat të keq, janë shtuar. Por le të shpresojmë se ky është vetëm një nervozizëm kalimtar dhe mendjet e turbullta do të kthjellohen shpejt. Kur fitojmë, kërkojmë të jemi pjesë të gjithë, duke e deklaruar veten pjesë të fitores, qoftë edhe për votën tonë që kemi dhënë. Por edhe humbjen duhet ta ndajmë të gjithë bashkë, sado e hidhur të jetë. Nuk mund t’ia ngarkojmë atë si barrë vetëm një njeriu dhe ta shpartallojmë. Kështu e mendoj unë familjen e madhe të demokratëve.
Londo: Garda e vjetër sabotoi zgjedhjet, PD të rithemelohet
Bardhyl Londo beson se përmes rithemelimit, kalimit të udhëheqjes në duar dhe mendje të papërlyera, PD-ja do të mund të bëhet e fortë, të ringrihet dhe të vijë më shpejt në pushtet. Gjatë intervistës për “Gazeta Shqiptare”, z. Londo hedh akuza të forta mbi gardën e vjetër të PD-së, të cilët sipas tij sabotuan zgjedhjet e 25 qershorit duke dëmtuar rëndë PD-në.
Z.Londo, zgjedhjet e 25 qershorit nxorën fituese PS-në dhe humbëse PD-në. Sipas jush, cilët ishin faktorët që çuan në humbjen e PD-së?
Njëherë të biem dakord për përdorimin e termave “zgjedhje” dhe “votime”. Për fat të keq, edhe kësaj here, Shqipëria bëri votime, por ishte shumë larg zgjedhjeve. Dhe shkaku dihet: shitblerja masive e votës nga varfëria e tejskajshme, përdorimi i parave të pista, sidomos i atyre të kanabisit (euroja u nënvlerësua në nivele të papara ndonjëherë), presioni i qeverisë mbi administratën, përdorimi i të ashtuquajturve të fortë etj., etj. Le të kujtojmë vetëm dy fakte këlthitëse. Si ka mundësi që Ben Blushi të mbetet jashtë parlamentit ndërsa Tom Doshi ta marrë me lehtësi mandatin e deputetit në një zonë të njohur si bastion i së djathtës? Le të vazhdojmë me të njëjtën logjikë. Si ka mundësi që Ben Blushi të mbetet jashtë parlamentit ndërsa PDIU-ja të marrë 1 mandat në Dibër dhe protagonistja e këtij akti, jashtë çdo morali dhe logjike politike, por edhe njerëzore, të deklarojë ende pa u shpallur zyrtarisht deputete “mandati im i takon Edi Ramës”? Vini re: jo Partisë Socialiste, por Edi Ramës. Përfytyroni tani se çfarë mund të presësh nga parlamenti i ardhshëm, i cili është pjellë e përçudnuar e votimeve dhe jo krijesë normale e zgjedhjeve.
Por le të kthehemi te humbja e dhimbshme e PD-së. Për mua ishte një humbje e paralajmëruar dhe e sigurt. Ishte një humbje e cila kishte vite që po gatuhej dhe po kërcënonte PD-në. Kjo gjëmë, më lejoni ta quaj kështu, nuk u gatua as për katër vjet dhe aq më pak për tre muaj sa zgjati e famshmja “çadër”, ku u shpall së pari slogani politik “Republika e Re”. Pavarësisht këtyre, humbja tragjike e PD-së ndodhi, dhe ajo do të ishte po kaq e thellë, në mos dhe më e thellë, edhe sikur në vend të votimeve të kishim pasur zgjedhje. Shkaqet janë të shumta dhe të ndryshme, por kryesori më duket se ishte fakti se PD-ja nuk arriti të futet në votime si një trup i vetëm, por hyri çeta çeta, të cilat në shumë raste jo vetëm nuk komunikonin me njëra-tjetrën, por dukej sikur e urrenin aq shumë njëra-tjetrën sa ishin gati të fillonin luftën mes vedi dhe jo me kundërshtarin politik. Çetën e parë e bënte vetë kryetari Basha, i cili sidomos pas shpalljes së betejës së çadrës, gjithmonë e më shumë dukej si i “vetëm trim në luftë”. Por shpatullat e tij ishin tepër të brishta për të përballuar një betejë të tillë. Për më tepër, kur të gjithë kundërshtarët dhe rivalët politikë gjatë fushatës elektorale shfaqeshin të dubluar (Rama alternohej me Erion Velinë, Meta me Vasilin dhe Kryemadhin), Basha vazhdonte të mbetej vetëm, duke ngjallur, veç të tjerave, edhe një efekt tejet negativ psikologjik te përkrahësit e tij. Në këto raste, çadra nga një metaforë dhe simbol politik, kthehej në një nga ata mullinjtë e famshëm të aventurave të Don Kishotit.
A ishte kjo një zgjidhje e dëshiruar apo e detyruar për Bashën?
Nuk mund të them asgjë me siguri, por ka mundësi të jenë të dyja nga pak. Edhe Basha e zgjodhi vetë këtë strategji, edhe garda e vjetër, të ashtuquajturit senatorë, e lanë në baltë kryetarin e padëshiruar, ndërsa në rastin më të keq edhe të urryer. Kështu pra, çeta e dytë, një çetë me të vërtetë groteske siç u paraqit, ishte garda e vjetër ose senatorët siç i quajnë rëndom. Këta në rastin më të mirë nuk morën pjesë në fushatë fare, ndërsa në rastin më të keq e sabotuan hapur atë (mjafton të kujtojmë thirrjen patetike për të ndërruar kryetarin në çastet kur fushata sapo kishte filluar). Të mësuar me privilegjet e tyre shumëvjeçare brenda partisë, ata kujtuan se janë të përjetshëm, dhe harruan se edhe një politikan brilant siç ishte Çurçilli është gjithmonë i përkohshëm. Për më tepër, mllefin e tyre ndaj kryetarit të urryer Basha, ata ndoshta pa e kuptuar, e shndërruan në mllef ndaj vetë PD-së. Një çetë më vete përbënte lideri historik Berisha, i cili u përpoq të mbante një qëndrim pajtues midis dy çetave të para, por që rezultoi fare i padobishëm. Berisha deklaroi se përpilimi i listave është e drejtë ekskluzive e kryetarit, duke justifikuar kështu më shumë veprimet e tij të mëparshme sesa veprimet aktuale të Bashës, por kurrë nuk bëri thirrje për t’i votuar ato lista! Sot kur lufta midis kryetarit të ngrirë dhe senatorëve ka shpërthyer më tepër si një urrejtje e ndërsjellë patologjike sesa si debat politik për të cilin ka nevojë populli demokrat, Berisha mban përsëri një qëndrim të çuditshëm dhe kundër natyrës që tashmë ia njohim të gjithë: ai u jep të drejtë të dyja palëve, por në të vërtetë të dyja i mohon. Çeta tjetër, e cila e shfaqi fytyrën e vërtetë vetëm pas disfatës së zgjedhjeve, është ajo e nëpunësve të aparatit të PD-së të zgjedhur dhe të emëruar nga vetë Basha. Nga më aktivët gjatë ditëve të çadrës, pakënaqësinë e madhe kur mbetën jashtë listave për deputetë ata e gëlltitën me shpresën se do të ishin pjesë e qeverisjes “Basha”. Vetë Basha e deklaroi këtë. Por humbja e zgjedhjeve ishte dhe humbja e shpresës së fundit për këtë kategori brenda piramidës së PD-së. Tani ata janë shndërruar në armiqtë kryesorë të kryetarit të tyre të djeshëm. Sa shumë çeta, sa shumë rrëkeza, sa shumë energji e derdhur kot, kur pritej një lumë i madh i përbashkët që do të vinte në lëvizje turbinën e fitores. Të gjithë mbajnë përgjegjësinë e tyre para popullit demokrat, të gjithë do të përgjigjen moralisht dhe politikisht, por para së gjithash do të përgjigjet kryetari i vetëngrirë Basha qoftë edhe për faktin e vetëm se nuk arriti t’i bashkojë të gjitha rrymat dhe korrentet. Kush duhet ta bëjë këtë përveçse kryetari?! Çfarë mund të bëjë tjetër kryetari, kur nuk bën këtë?!
Kundërshtarët e akuzojnë Bashën se me “Republikën e Re” nxori nga skema PD-në dhe se marrëveshja me Ramën ishte fatale…
“Republika e Re” ishte një metaforë politike. Duke shfrytëzuar pakënaqësitë 25-vjeçare ndaj politikës, duke përfshirë edhe politikën e PD-së, madje veçanërisht politikën e PD-së, Basha u përpoq të gjente një metaforë apo një slogan të ri politik. Sipas meje është i gjetur mirë. Por duke qenë shumë i bukur (kalimi i pushtetit nga duart e politikanëve, në duart e njerëzve), është pak i vështirë për t’u besuar. Tingëllon pak utopik dhe donkishotesk. Por ky nuk është faji i Bashës. Është dështimi i politikës 25-vjeçare shqiptare që e nxit këtë ndjesi. Për sa i përket marrëveshjes me Ramën, më ka habitur amplifikimi që i është bërë për qëllime të caktuara kësaj marrëveshjeje. Rreth saj është ngritur një propagandë e përmasave dhe cilësive gebelsiane dhe PD-në më tepër e ka dëmtuar kjo propagandë se vetë marrëveshja. Për më tepër, as vetë Basha, as ekipi i tij, ose nuk kanë dashur, ose nuk kanë qenë në gjendje t’i përgjigjen kësaj kundërpropagande të përmasave gebelsiane. Të dyja rastet janë në kufijtë e pafalshmërisë dhe të përgjegjësisë ekstreme të kryetarit Basha dhe të ekipit të tij, në rast se ka ende ekip. Për më tepër Basha duhet të sqarojë qartë se çfarë është kjo marrëveshje dhe ta botojë patjetër në shtyp. Ndryshe do t’i mbetet mbi supe një përgjegjësi e tillë që asnjë politikan nuk mund ta përballojë.
Sa për vete, në parim, pa ditur në hollësi përmbajtjen e saj përveç atyre pikave që ka shpallur Basha dhe me të cilat jam dakord, unë nuk kam asgjë kundër marrëveshjes. Unë nuk mund të përkrah ato mendime ekstreme që thonë se “u takua. I dha dorën armikut”. Politika shqiptare nuk mund të qëndrojë, sikundër deri më sot, në dy llogore të baltosura dhe të qëllojë me dogratë e mykura të urrejtjes patologjike. Evropianizimi i saj, dalja nga llogoret e urrejtjes dhe futja në rrugët e garës së ndershme, ia vlen çdo lloj sakrifice, qoftë edhe me një farë kostoje që mund të paguajë njëra apo tjetra palë. Siç ka thënë Karli IX, Parizi ia vlen një meshë.
PD është përfshirë nga një krizë pas humbjes së zgjedhjeve. Cila është rruga për të dalë nga kjo krizë dhe për t’u ringritur përsëri?
Nuk është hera e parë që PD-ja kalon kriza të tilla. Ka pasur edhe kriza më të thella, ka pasur madje edhe agresione. Megjithatë PD-ja është ringritur. Gjithmonë si feniksi. Kështu do të ndodhë edhe kësaj here. Sado e rëndë të duket situata, dhe vërtet e tillë është, nëndetësja me emrin PD do të ngrihet shumë shpejt e bukur dhe e fuqishme mbi ujë. Është një parti që ka energji të pallogaritshme dhe që po të shfrytëzohen mirë nga ata që e kanë për detyrë këtë, mund të ndodhë mrekullia, rikthimi i PD-së në pushtet, shumë shpejt. Asnjë klan, sado i sofistikuar qoftë, nuk mund ta përballojë vitalitetin e popullit të PD-së që ka dhënë shembuj të shkëlqyer ringritjeje dhe ripërtëritjeje. PD-ja është një visar kombëtar dhe si e tillë duhet trajtuar. PD-ja është një dashuri e madhe dhe duhet trajtuar vetëm me dashuri. Kurrë me urrejtje patologjike, kurrë me neveri për njëri-tjetrin, kurrë me urrejtje dhe dasi siç po veprohet këto ditë. Janë vërtet ditë të vështira, por janë dhe ditë të një katarsisi të madh. Po kalon koha e çetave dhe po afron, ndonëse tani për tani duket e vështirë, koha e bashkimit të energjive. Rruga e vetme është rithemelimi i PD-së, kalimi i stafetës te brezi më i ri, të cilin PD-ja e ka me shumicë. Çdo e keqe e ka një të mirë. Jam i bindur se rithemelim i PD-së do të thotë kalimi i udhëheqjes së saj në duar dhe mendje të papërlyera deri tani nga psikologjia e “çetave” dhe nga ndjesia e urrejtjes patologjike për njëri-tjetrin. Gjatë kësaj rruge PD-ja ka shumë çfarë të lërë pas nga trashëgimia e saj, ashtu siç ka po aq shumë të marrë dhe të mësojë nga historia e deritanishme.
Teferiçi: Gabimi tashmë u bë, Basha s’dha dorëheqjen
Parid Teferiçi, ish-deputet i PD-së, është mosbesues kur bëhet fjalë për zgjedhjen e kreut të ri të PD-së, pasi sipas tij fakti që z. Basha nuk dha dorëheqjen, nuk lë vend për një garë të barabartë. Z. Teferiçi apelon përmes “Gazeta Shqiptare” se demokratët duhet ta shpëtojnë partinë e tyre sa nuk është vonë. Sipas tij duhet bërë kujdes pas 23 korrikut, që mund të çojë në shuarjen definitive të PD-së.
Teferiçi, zgjedhjet e 25 qershorit nxorën fituese PS-në, ndërsa PD-ja është humbësja e radhës e këtyre zgjedhjeve. Sipas jush, cilët ishin faktorët që sollën një humbje kaq të madhe të PD-së?
Partia Demokratike humbi thellë për arsyet që u thanë e stërthanë për tre muaj me radhë në çadër, por pas daljes prej saj nuk i pipëtinte askush, si të ishin sekrete shokësh ushtrie. Por më dëshpëruese është se këto arsye i denoncoi dhe evidentoi LSI-ja, e cila diti të përballej me to në fushatë dhe gjatë ditës së zgjedhjeve, me mënyrat e veta. Demokratët nuk blihen dhe nuk tremben, por ata nuk janë kope të bindura, ata shkojnë te kutitë e votimit kur e dinë se për kë dhe përse po votojnë, kë dhe përse po ndëshkojnë. Fitorja e Bashkisë Kavajë nga demokratët e udhëhequr nga Isa Sakja, vërtetoi më së miri se për të fituar duhet të dish të luftosh.
Kundërshtarët brenda partisë e akuzojnë Lulzim Bashën se me “Republikën e Re” nxori nga skena PD-në dhe se marrëveshja me Ramën ishte fatale. Cili është mendimi juaj?
Dukej qartë se Basha nuk kishte besim te partia që udhëhiqte, te simbolet, historia, struktura dhe njerëzit e saj. As në katër vjet, as në katër muajt e fundit, Basha nuk e përmirësoi dot partinë, por as partia nuk e përmirësoi dot Bashën. Përkundrazi, vijojnë sot e përditë të përkeqësojnë pa u ndalur njëri-tjetrin. Përmirësoi gjatë fushimit tremujor në çadër vetëm artilerinë e tij retorike, por ajo mbeti tërësisht me raketa ‘ajër-ajër’, ndërsa tezat, domethënë shënjestrat, ishin të lëvizshme, të paqarta, të improvizuara dhe tautologjike: të papara sepse të padukshme, të padëgjuara sepse inkoherente, të papritura sepse të pamenduara mirë. Vetëm në temperaturën e çadrës mund të shkriheshin në një kallëp metalet e Trumpit dhe të Merkelit, populizmi egocentrik dhe liberal-konservatorizmi, serioziteti teatral dhe serioziteti i mirëfilltë ideor, ‘shpimi i gomave’ dhe ‘moskëputja e luleve’. Me këtë cilësi aliazhi, gjylet e derdhura në tre muaj çadër, godisnin në muajin e fushatës si tullumbace. Gjithë sa ishin armët e vërteta në dispozicion të opozitës, të grumbulluara mundimshëm dhe rrëmujshëm: dekriminalizimi, dekanabizimi etj., krejt befas u magazinuan bashkë me çadrën diku, menjëherë pas paktit sekret (i cili e meriton një monument diku te sheshi i ri, me mbishkrimin ‘Bipartizani i panjohur’). Nuk i njohim termat e kësaj detante të çuditshme, por shpresoj pak në dobinë e tyre afatgjatë për demokracinë. Në emër të stabilitetit, gjoja të domosdoshëm për reforma të mëdha strukturore, druaj se ato do të sjellin amullinë në sistem dhe atrofizimin e nervit politik dhe qytetar. Kundërmimi i kësaj paqeje moçalore ka filluar të na asfiksojë që tani.
PD-ja është përfshirë nga një krizë e thellë pas zgjedhjeve. Cilat rrugë mund ta nxjerrin atë nga kjo krizë dhe si mund të ringrihet sërish PD-ja?
Krizat janë të shëndetshme për një organizatë të gjallë politike, por vetëm nëse trajtohen, analizohen dhe përballohen hapur dhe me qasjen e duhur. Përndryshe krizat bëhen fatale. Marrja e përgjegjësive është detyrim i pashmangshëm i udhëheqjes. Gabimi më i madh është kryer tashmë: kryetari nuk dha dorëheqjen për të garuar si i barabartë me konkurrentët. Nëse perifrazoj Alfred Lelën: “Të jesh kryetar, nuk hyn te të drejtat themelore të njeriut.” Duket sikur qëndrimi i vetëm koherent politik i Bashës është qëndrimi me çdo kusht kryetar. Nëse procesi zgjedhor do të vazhdojë kështu si ka nisur, atëherë pas 23 korrikut, e deri në shuarjen definitive të PD-së, do të na shoqërojë si mallkim refreni i çadrës: “Zgjedhje-fasadë, kryetar-fasadë, opozitë-fasadë, parti-fasadë.” Kjo është tmerrësisht e tepërt për forcën më të madhe të lirisë dhe të qendrës së djathtë në vend. Uroj me shpirt që demokratët të rifitojnë shpejt partinë e tyre!/ Gazeta Shqiptare