Luan Rama doli në një konferencë për mediat një ditë pasi u publikua sondazhi i IPR në Ora Neës ku nxirrte PS e drejtuar nga Edi Rama fituese të zgjedhjeve me 43 për qind të votave. Luan Rama tha se këto sondazhe janë klienteliste nuk paraqesin realitetin dhe porositës është qeveria.
“LSI në Tiranë është në garë me Partinë Socialiste për vendin e parë, në Durrës, Fier dhe Elbasan gjithashtu. Jemi absolutisht të parët në Berat dhe Gjirokastër”, vijoi ai.
“Ne kemi qënë në qeverisje si garanci e stabilitetit të qeverisjes, si garanci e funksionimit normal të institucioneve të vendit. Po, kemi qënë në qeverisje si garanci e reformave në kuadër të proçesit të integrimit europian të vendit, por dhe si profilaksi përballë arrogancës, mendjemadhësisë dhe abuzimit të qeverive. Ndërkaq, LSI në të dy qeveritë nuk ka patur asnjëherë drejtimin e qeverisë, prandaj jemi sot përballë qytetarëve, prandaj oferta jonë është për LSI forcë e parë për një drejtim të ri të qeverisë, për atë drejtim që duan qytetarët larg konfliktit”, tha Luan Rama.
Përsa i përket hartimit të listave të zgjedhësve, Luan Rama tha se nuk ka pasur asnjë kushtëzim nga pjesëmarrja apo jo e opozitës në zgjedhje.
“Listat e LSI janë bërë duke patur parasysh vetëm një prioritet, përfaqësim dinjitoz dhe me kurajo përballë qytetarëve me lista që ofrojnë modelin më të mirë të përfaqësimit, në mënyrë të veçantë duke respektuar me seriozitet shansin e barazisë gjinore dhe duke përfshirë në lista të rinj me zotësi dhe angazhim shembullor që do të bëjë të mumdur që Parlamenti i ri të jetë krejt i ndryshëm. Asnjë kushtëzim nuk ka patur renditja prej faktit nëse do të futet apo jo opozita në zgjedhje. Ne jemi nisur vetëm nga fakti që qytetarët të gjejnë në listat e LSI përfaqësuesit e tyre më dinjitozë dhe zëdhënës reale të shqetësimeve të tyre. Sa për vendin tim ju siguroj që do të kisha të njëjtën garanci për të qënë deputet në parlamentin e ardhshëm dhe nëse do të isha i 10-ti. LSI, sidomos në Tiranë, është e barabartë në garë me PS. Ne luftojmë përballë PS për vendin e parë në Tiranë, në Durrës, Elbasan, Fier, ndërkohë që jemi absolutisht të parët në qarkun e Beratit dhe Gjirokastrës”, tha Rama.