Këshilltarja e LSI në Keshillin Bashkiak të Durrësit, Edlira Hyseni, ka shpjeguar voten kundër të LSI për projekbuxhetin 2017-2019 e propozuar në Bashkinë e Durrësit
“Eshtë e thjeshtë”, shprehet ajo, “sepse askush s’na pyeti, askush s’na dëgjoi, askush nuk priti të përcillnim zërin e qytetarëve tanë, që na votuan t’i përfaqësojmë!”
Ndersa pyetjes nese ishte ky një vendim politik, Hysenaj thote se: “Ne jemi përfaqësues të një force politike me një vizion të qartë, me një platformë idesh e programesh, ku secili nga ne ka gjetur veteveten dhe aty, në atë Këshill ku çdo herë na thërrasin të votojmë, ne jemi qytetarë durrsakë, që LSI ka zgjedhur të na besoj në mendime, profesionalizëm, korrektësi dhe përgjegjësi. Nuk ka qenë asnjëherë nevojë të “urdhërohemi”, të dalim jashtë ideve tona për t’u bindur pa kushte”.
Me tej, Hyseni shprehet se “jemi plotësisht të ndërgjegjshëm për rëndesinë e miratimit të këtij vendimi, si një kusht i domosdoshëm për vijueshmërinë e të gjitha funksioneve dhe aktiviteteve të Bashkisë sonë. Por pikërisht pse ai është dhe duhet të jetë një proçes, që ka detyrimin jo vetëm ligjor, por edhe moral, për të qenë gjithëpërfshirës, për të kërkuar dhe mbështetur të gjitha palët e interesuara dhe të prekura prej tij: biznesin, qytetarët, organizatat, përfaqësitë, këshilltarët, specialistët e çdo fushe. Buxheti i një Bashkie, nuk është aq i ndryshëm nga ai i çdo familje. Është vendimi i përbashkët i të gjithë anëtarëve në Këshillin Bashkiak se si do të realizojnë, do të menaxhojnë dhe shpenzojnë të ardhurat në dispozicion, për një periudhë afatshkurtër apo më tej. Dhe nuk ka Kryetar, që mund të mbajë i vetëm këtë përgjegjësi, ndaj duhet transparencë, dialog, bashkëpunim, besim tek njëri-tjetri për të ndërtuar ura të qëndrueshme të aleancës ku ne jemi”.
Me profesion ekonomiste, keshilltarja e LSI, Edlira Hyseni, analizon:
“Buxheti i vitit 2017 rezulton të jetë më i madhi i këtyre 5 viteve të fundit, më të ardhura në total rreth 4.330.000.000 Lekë, tregues ky që lë vend për optimizëm dhe realizimin e projekteve ambicioze në të ardhmen e afërt.
Por ishte në përzgjedhjen e zërave buxhetor dhe peshës specifike të secilit prej tyre, aty ku fondet do të shpërndahen, qe ne si Këshilltarë dhe qytetarë, të pakonsultuar më parë për asnjë nga çështjet apo sektorët që preken, u gjendëm të papërgatitur për të shprehur një opinion pro këtij vendimi. Në këtë projektbuxhet që na u kërkua të votonim pa konsultë paraprake, shpenzimi i 30% të të ardhurave vjetore shkonte në zërin Infrastrukturë Rrugore, që faktikisht ndahej kryesissht në “rikonstruktim/rehabilitim/rivitalizim” i 3 shesheve të mëdha: Përballë Portit ( Projekti “Vela” ), pranë Muzeut të Dëshmorëve dhe më i riu projekti “Zona Shkëmbi i Kavajës”.
Pa dyshim që janë investime publike të rëndësishme për të ardhmen e Bashkisë Durrës, por ne pyesim: A s’mund të bëhet një shesh më pak dhe ca shërbime tjera jetike më shumë? A janë këto sheshe të reja, që deri diku duhet të pranojmë se modifikojnë bindshëm identitetin e Durrësit, një prioritet për qytetarët Bashkisë së madhe?
Nje buxhet Bashkie vërtet shpërndahet sipas prioriteteve që drejtimi i këtij qyteti zgjedh të përcaktojë, por ne pyesim:
A nuk janë 34.000 nxënës që frekuentojnë 119 institucione arsimore ( cerdhe, kopshte, shkolla 9-vjecare dhe të mesme ) prioritet madhor, për të investuar më shumë në ristruktuksionet e godinave dhe sistemeve elektrike/hidraulike të amortizuara prej vitesh? Apo realizimi i sistemit ngrohës për to? Pse të mos ketë cerdhe, në Njësitë Administrative, përvec se brenda qytetit?
A nuk është bujqësia ( ku toka bujqesore, sot përbën 70% të territorit të Bashkisë Durrës), pyjet (sot menaxhohen dhe administrohen 6.620 ha pyje ), kullotat dhe zhvillimi rural, një prioritet për tu mbështetur dhe inkurajuar me më shumë fonde dhe investime? Në buxhet parashikoheshin vetëm 1% e të ardhurave për këtë zë, në rreth 300.000 euro/vit të parashikuara!
A nuk është rehabilitimi i skemave ujitëse dhe vaditëse, që sot rezultojnë jashtë funksionit në masën 50% të kanaleve dhe rezervuareve të kesaj Bashkie, një prioritet për të gjetur zgjidhjen, duke filluar nga 2017 dhe mos të shtyhet ai per vitet e mëpasshme sic është parashikuar ne buxhet?
A nuk është siguria dhe mbrojtja e qytetarëve dhe bizneseve të këtij qyteti, nga shërbimi i zjarrëfikësve, një prioritet për këtë buxhet? Janë sot aq pak në numër dhe në mjete, sa 1% e buxhetit të parashikuar për to, nuk arrin të mbulojë as nevojat e një lagjeje në Durrës e jo më një Bashkie të tërë
A nuk është promovimi, mbështetja dhe investimi në sport, art dhe kulturë, mjet për të ndihmuar rininë e këtij qyteti? Të jetojnë më mirë, më shëndetshëm, të jenë më socialë dhe altruistë. A nuk duhet të jetë prioritet në buxhet rinia, duke mundur të zgjidhet fillimi i rikontruktimit të të vetmit Pallat Sporti që ky qytet ?
A nuk është mjedisi që ne jetojmë përditshmërinë tonë prioritet? Gjelbërimi, pastrimi, ndricimi, nga qendra e deri në cdo rrugë të skajshme të fshtarave të tij, nuk gjykohet detyrim prioritar për të investuar dhe realizuar në kohë sa më të shpejtë, si pjesë e shërbimeve publike minimale që një Bashki ka detyrim për taksapaguesit e saj familjarë dhe tregtarë?
Këto ishin disa nga pyetjet, që ngritëm mes nesh kur në moment të fundit u thirrëm të miratojmë një buxhet, për të cilin nuk ishim konsultuar në asnjë rast më parë. Besonim se për një vendim të tillë do të ishim bashkëpunëtorë, sic jemi aleatë, për të ndarë së bashku vizionet tona, kërkesat, projektet, për të gjetur rrugën optimale për zgjedhjet/zgjidhjet më të mira të mundshme në interes të qytetarëve qe besojnë te ne.
Nëse ndokush , i lexon këto si prapaskena politike, do të thotë se nuk di se politika është mundësia që çdo zemër e mendje qytetari të shkojë aty ku mund të dëgjohet, përmes njerëzve që ata vetë kanë zgjedhur t’i përfaqësojnë”, e mbyll ajo kete sqarim per mediat, mbi voten kunder te LSI per buxhetin e Bashkise Durres.