Nga foltorja e selisë së Lëvizjes Socialiste për Integrim, nënkryetari Luan Rama artikuloi pritshmëritë lidhur me reformën zgjedhore, të mbetur pezull vetëm 6 muaj përpara zgjedhjeve të 2017-ës. Për Luan Ramën, forca e tij politike do të angazhohet në rolin e ruajtësit të balancave për të arritur, sipas tij, konsensusin e mundshëm, të arritur në 21 Korrik.
Në një fjalim ku dominuese ishte fjala “reale”, si për të lënë të kuptohet se mes dy partive më të mëdha në vend PD- PS, të cilat e bashkëkryesojnë komisionin e reformës zgjedhore, puna ka mbetur në retorikë; Lëvizja Socialiste për Integrim duket se po përgatitet për betejën e rradhës, atë të të qënit faktor vendimtar në reformimin e sistemit elektoral.