Ish-kapiteni i Kombëtares, Lorik Cana, ka dalë publikisht në mbështetje të ish-udhëheqësit të UÇK-së dhe ish-kryeministrit të Kosovës, Ramush Haradinaj, i arrestuar javën e shkuar nga autoritetet franceze pas një mandat-arresti ndërkombëtar të lëshuar nga Serbia.
Me anë të një statusi në frëngjisht të postuar në profilet e tij në rrjetet sociale, Cana e cilëson arrestimin e Haradinajt si të motivuar politikisht dhe i bën thirrje drejtësisë franceze ta lirojnë sa më parë.
Deklarata e Lorik Canës:
“Dua të shpreh gjithë përkrahjen time për Z. Ramush Haradinaj, i cili edhe një herë u persekutua me një mandat arresti ndërkombëtar të lëshuar nga shteti i Serbisë, i motivuar politikisht dhe për fakte që Haradinaj është shpallur dy herë i pafajshëm nga Gjykata Penale Ndërkombëtare!!! Të gjithë shpresojmë se drejtësia franceze do ta lejojë së shpejti Haradinajn të kthehet në gjirin e familjes dhe të afërmve.
Miqësisht Lorik Cana”.