Nga kjo e shtunë në Greqi lehtësohen masat anti-COVID. Pas vendimit nga autoritetet greke, qytetarët do të lejohen të frekuentojnë lokalet, klubet dhe qendrat e argëtimit, që ndaloheshin rreptësishtë për thuajse gjithë periudhën e pandemisë, ndërsa edhe tavolinat duhet të ishin në distancë dhe me numër të kufizuar klientësh.
Përveç kësaj mase të shumëpritur nga bizneset e argëtimit, do të kufizohet puna on line në 20% të të punësuarve të sektorit publik e privat, kapaciteti i tifozëve në stadium do të rritet nga 10% në 50%, si dhe do të lejohen sërish ekskursionet shkollore dhe disa aktivitete kulturore në ambiente të mbyllura, me kushte të caktuara.
Ministri i Shëndetësisë, Athanasios Plevris ka deklaruar shpesh ditët e fundit se nga çelja e sezonit turistik në 1 mars e deri në fund të muajit do të hiqen gradualisht të gjitha masat mbrojtëse kundër Covid 19 në vend.
Epidimiologët kanë sugjeruar lehtësimin e masave pas rënies së ngarkesës virale dhe numrit të intubuarve, konkretisht sot me 470, ndërkohë që mbetet i lartë numri i të infektuarve të rinj, dje 18.605 dhe numri i vdekjeve nga komplikacione të Covid-19, dje 80 veta humbën jetën në gjithë vendin.